Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, në deklarimin e saj para gjykatës tha se opozita me veprimet e saj ka ndaluar faljen e territorit të Kosovës dhe bosnjëzimin e saj.
Haxhiu i ka quajtur politike veprimet e deputetëve të opozitës, duke thënë se kanë respektuar betimin e deputetëve, gjë për të cilën thotë se ndjehet krenare.
“Me përgjegjësi të plotë e them se sikur mos të ishin ato veprime në Kuvend sot do t’i vuanin pasojat edhe nga falja e territorit dhe bosnjëzimi i Kosovës andaj si përfaqësues të popullit jam krenare që kemi arritur t’i ndalin këto dy projekte pavarësisht sfidave se nuk ka qenë e lehtë përballen me policinë dhe masat me paraburgim por kemi marrë veprime siç thotë Kushtetuta deri në vetëmohim”, tha Haxhiu, raporton KP.
Haxhiu shtoi se për marrëveshjen e shënjimit të vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, nuk janë pyetur fare deputetët e Kuvendit dhe se Hashim Thaçi ka nënshkruar marrëveshje kur Kuvendi i Kosovës ishte në pushim.