Haxhiu kërkoi dorëheqjen e kryeprokurorit në Prishtinë, reagon Prokuroria

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar lidhur me deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka kërkuar shkarkime dhe dorëheqje të personave brenda këtij institucioni të cilët nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë në rastin e 11 vjeçares.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike.

“Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje u tha se “derisa e theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”.

Të ngjashme