Haxhiu kërkon sqarime nga Haki Abazi për deklaratën e tij rreth vdekjes së Astrit Deharit

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 00:20 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e nominuara për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se zbardhja e rastit “Dehari” do të jetë prioritet i qeverisjes së Vetëvendosjes.

Duke folur për një deklaratë të Haki Abazit i cili përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se vrasësit e Deharit mund të jenë nga Vetëvendosje, ajo ka thënë se ai duhet të jap sqarim për këtë.

“Unë nuk mund të jap ndonjë mendim për këtë deklaratë që nuk e kam lexuar. Besoj që Abazi duhet ta sqarojë këtë. Por të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë rast edhe Abazi që kanë menduar që është vetëvrasje e kanë marrë vesh që nuk ka qenë e tillë dhe kjo është bërë e ditur nga raporti zviceran”, ka thënë ajo, në KTV.

Haxhiu thotë se ka qenë kritike ndaj aktgjykimit lirues të rastit “Pronto”.

“Ajo çfarë kam thënë është se një aktgjykim i tillë ka qenë i papranueshëm, për shkak se të gjithë e kemi dëgjuar aferën ‘Pronto’. Gjykata tashmë e ka marrë vendimin, dhe unë nuk pajtohem se sistemi i drejtësisë e ka lirinë se bëjnë çfarë të duan, sepse gjithçka nisë ‘me emër të populli’. Zonja prokurore e ka dërguar rastin në Gjykatë dhe ata janë shpallur të pafajshëm”, thotë ajo.

Ajo thotë se askush nuk ka nevojë t’i frikësohet qeverisjes së Vetëvendosjes pasi e njëjta do të krijojë shtet të së drejtës.

Sipas saj, nga fillimi i qeverisjes do të fillojë procesi i vettingut.

“Ka shumë çështje që duhet të ndodhin paralelisht. Qeverisja jonë do ta trajtojë në mënyrë të dinjitetshme Kuvendin e Kosovës. Sa i përket sistemit të drejtësisë i pari do të jetë vettingu e pastaj ligji anti-mafia, ligji për vërtetimin e pasurisë së pa justifikueshme, shërbimi korrektues të Kosovës, krimet e luftës ku vetëm tre prokurorë janë që merren me këtë cështje”, ka thënë ajo.

Ndërkaq për nomimin e Blerim Rekës për ministër të Punëve të Jashtme, ajo ka thënë se Vetëvendosje ka bërë zgjedhje të duhur.

Për Rozeta Hajdarin e propozuar për ministre Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Haxhiu thotë se ka qenë njëra ndër gratë që e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Vetëvendosjen.

Të ngjashme