Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e organizuar në Kampin Bondsteel, ku së bashku me pjesëtarët e Grupit për Mbështetje në Ballkan ka uruar 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.
Përmes një postimi, Haxhiu tha se kishte kënaqësinë ta ndante këtë ditë festive me ushtarët amerikanë, duke e cilësuar 4 Korrikun si një datë që mishëron vlerat themelore të demokracisë.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pata kënaqësinë të jem në Kampin Bondsteel, së bashku me pjesëtarët e Grupit për Mbështetje në Ballkan, për ta ndarë me ta këtë ditë të veçantë dhe festive. Katër korriku na kthen te një nga parimet më fisnike të demokracisë, te vullneti i popullit si burim i lirisë dhe i pushtetit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo theksoi se për Kosovën, 4 Korriku lidhet ngushtë me miqësinë dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas saj, kanë qenë pranë vendit në momentet më të rëndësishme historike.
“Për ne në Kosovë, kjo datë është e pandashme nga miqësia me Shtetet e Bashkuara, të cilat na janë gjendur pranë në çastet më të rënda dhe më përcaktuese të historisë sonë. Ushtarëve dhe qytetarëve amerikanë ua përcolla urimet më të përzemërta për 250-vjetorin e Pavarësisë, bashkë me mirënjohjen për aleancën që na ka bashkuar në të kaluarën dhe vazhdon të na prijë drejt së ardhmes”, u shpreh ajo.
Në fund të mesazhit të saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes uroi popullin amerikan me rastin e festës kombëtare, duke shkruar: “Gëzuar 4 Korrikun!”.