Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur konferencë për zbatimin e marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e 300 të burgosurve në burgun e Gjilanit, proces që pritet të nisë në vitin 2027.
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe trajtimit dinjitoz të të burgosurve, ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes kërkon përgatitje institucionale dhe staf profesional.
Në hapje të konferencës, Rushiti shprehu ngushëllimet për vdekjen e Alinda Zekës dhe kërkoi që dhuna ndaj grave dhe vajzave të trajtohet si urgjencë kombëtare, me veprime konkrete nga institucionet.
“Fillimisht më lejoni që të shpreh dhimbjen dhe indinjatën e thellë për humbjen e jetës së një nëne, Alinda Zeka, në mënyrën më barbare të mundshme. Shfrytëzoj rastin, duke qenë edhe pjesë e kësaj konference, të kërkoj zëshëm që rasti i vajzave dhe grave të bëhet urgjencë kombëtare dhe të ketë veprime konkrete nga raste të tilla”, tha Rushiti.
Më pas, ajo theksoi se konferenca synon të hapë diskutimin për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, duke vënë në fokus çështjet ligjore, standardet e të drejtave të njeriut dhe aspektet operacionale që lidhen me transferimin e të burgosurve.
“Jo rastësisht kemi pasur dëshirë që bashkërisht me gjithë ju që keni qenë prezent sot, të flasim për implikimet ligjore të kësaj marrëveshjeje, standardet e të drejtave të njeriut dhe çështjet operacionale të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi ajo.
Rushiti rikujtoi se QKRMT-ja ka ngritur shqetësime për ndikimin e kësaj marrëveshjeje në të drejtat e personave të privuar nga liria që nga faza e inicimit të saj. Sipas saj, organizata ka ndërmarrë hapa për të kontribuar në hartimin e marrëveshjes dhe për të siguruar që standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të merren parasysh që në fillim të procesit.
“Që nga inicimi i kësaj marrëveshjeje Kosovë–Danimarkë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka qenë e zëshme në ngritjen e shqetësimeve të ndryshme për ndikimin e saj në fushën e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria”, tha Rushiti.
Ajo përmendi konferencën e organizuar në mars të vitit 2022, kur marrëveshja ishte ende në fazën e ratifikimit. Në atë konferencë, sipas saj, ishin përfshirë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Danimarkës, ekspertë ndërkombëtarë e vendorë, si dhe mekanizma të pavarur monitorues.
“Përmes një analize, që besoj secili prej jush keni pasur mundësi ta shihni në korridor, e kemi shqyrtuar marrëveshje të ngjashme në nivel të Evropës, kemi përgatitur një raport ku identifikoheshin sfidat, implikimet ligjore dhe çështjet që kërkonin vëmendje të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria”, theksoi ajo.
Sipas Rushitit, synimi i kësaj pune ka qenë që marrëveshja të mos trajtohej vetëm si një angazhim ndërmjet dy shteteve, por edhe si një proces që duhet të garantojë respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe mbrojtjen e personave që do të mbahen në institucionin korrektues në Gjilan.
“Me këtë raport, por edhe me këtë konferencë, kemi synuar që të kontribuojmë konkretisht në hartimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës, në mënyrë që standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të jenë pjesë e kësaj marrëveshjeje qysh në fazën fillestare të draftimit të saj”, u shpreh Rushiti.
Ajo bëri të ditur se marrëveshja ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024 dhe parasheh transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në burgun e Gjilanit. Megjithatë, transferimi i tyre pritet të nisë në vitin 2027.
“Ndërsa sot, ndërsa jemi mbledhur këtu, jemi përballë një realiteti të ri. Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024 dhe, sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohet që 300 të burgosur të transferohen nga Danimarka në burgun e Gjilanit; pra, Kosova do të shërbejë si vend i cili do t’i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka në lokacionin e qendrës së paraburgimit në Gjilan”, deklaroi ajo.
Rushiti theksoi se, meqë marrëveshja tashmë ka hyrë në fuqi, diskutimi duhet të përqendrohet te përgatitjet konkrete për zbatimin e saj, përgjegjësitë institucionale dhe masat që duhet të ndërmerren për garantimin e trajtimit dinjitoz të të burgosurve.
“Gjithashtu, kjo marrëveshje ka filluar së zbaturi, mirëpo transferimi i të burgosurve pritet të fillojë në vitin 2027. Prandaj, jemi në një fazë të re dhe për këtë arsye jemi mbledhur sërish për të ftuar përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë – dhe unë jam jashtëzakonisht e lumtur që këtu e kemi edhe mekanizmin kombëtar për parandalimin e torturës nga dy ekspertë të mirënjohur, të cilët do të jenë pjesë e monitorimit të këtij institucioni – për të diskutuar sfidat ligjore, pozicionet institucionale që dalin nga kjo marrëveshje dhe përgatitjet e nevojshme për zbatimin e saj, me fokus gjithmonë të veçantë në garantimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të të burgosurve që do të transferohen në burgun e Gjilanit”, tha Rushiti.
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së foli edhe për përvojën e organizatës në monitorimin e institucioneve të mbyllura dhe kontributin e saj në parandalimin e torturës dhe përmirësimin e kushteve për personat e privuar nga liria.
“Në kuadër të misionit tonë si organizatë joqeveritare, që nga viti 2006 Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës i monitoron institucionet e mbyllura, Shërbimin Korrektues të Kosovës, por njëkohësisht edhe qendrat e shëndetit mendor, me qëllim të parandalimit të torturës. Përgjatë këtyre dy dekadave, angazhimi ynë ka shkuar përtej identifikimit të shkeljeve apo ngecjeve sistemike, duke kontribuar në avancimin e standardeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut për personat që mbahen të mbyllur, qoftë në qendrat e shërbimit korrektues, qoftë në institucionet e tjera”, tha ajo.
Rushiti shtoi se organizata ka kontribuar edhe në forcimin e përgjegjësisë dhe transparencës institucionale, duke theksuar rolin e saj në themelimin e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës.
“Kemi forcuar përgjegjësinë dhe transparencën institucionale, por gjithashtu kemi iniciuar dhe jemi mirënjohës që kemi themeluar mekanizmin kombëtar për parandalimin e torturës qysh në vitin 2010, edhe pse Kosova nuk ishte ratifikuese e Protokollit Shtesë, por njëkohësisht ajo ishte e mbështetur në kornizat kushtetuese të Kosovës”, u shpreh ajo.
Sipas Rushitit, puna monitoruese ndër vite ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes së personave të burgosur dhe të paraburgosur, ndërsa gjetjet dhe rekomandimet e organizatës janë përdorur edhe në nivel vendor e ndërkombëtar.
“Besimi dhe kredibiliteti i krijuar ndër vite, qoftë nga të burgosurit, familjarët e tyre, por edhe institucionet tona, ka bërë që gjetjet tona të kontribuojnë në përmirësimin direkt të gjendjes së përgjithshme të të burgosurve dhe të paraburgosurve. Përtej kësaj, si organizatë me gjetje dhe rekomandime ndër vite, kemi kontribuar edhe në mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe vendorë, siç është edhe Komiteti për Parandalimin e Torturës”, tha Rushiti.
Në konferencë foli edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, i cili në fillim të fjalës së tij u ndal te vdekja e Alinda Zekës, duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe duke paralajmëruar llogaridhënie për dështimet eventuale institucionale.
“Natyrisht shfrytëzoj rastin edhe njëherë me shprehë ngushëllimet e mia për familjarët dhe të gjithë për rastin e fundit tragjik dhe mendoj se, me thënë, ishte dhe vazhdon me qenë prioritet para daljes dhe adresimit të kësaj pune me familje. Fatkeqësisht kemi ende punë për të bërë, e më e keqja është se nga dështimi i hallkave institucionale shihet që kemi edhe në këtë rast tragjik”, deklaroi Nimoni.
Ai tha se institucionet janë në pritje të raportit për rastin dhe se përgjegjësia do të kërkohet në të gjitha hallkat ku identifikohen dështime.
“Llogaridhënie do të ketë, jemi në pritje të raportit dhe llogaridhënie do të ketë në të gjitha hallkat ku identifikohet dështimi, dhe kjo është e padyshueshme se rasti si rast ka ardhur për shkak të dështimit institucional. Shpresojmë të mos kemi raste të tjera”, u shpreh ai.
Duke iu kthyer temës së konferencës, Nimoni tha se vlera e marrëveshjeve ndërmjet shteteve nuk përcaktohet vetëm nga nënshkrimi apo ratifikimi i tyre, por kryesisht nga mënyra se si ato zbatohen dhe nga përgjegjësia që marrin institucionet përkatëse.
“Marrëveshjet, për me u kthyer në temën për të cilën jemi mbledhur sot, marrëveshjet ndërmjet shteteve e dëshmojnë vlerën e tyre jo në momentin kur ato lidhen, por se si ato zbatohen. Dhe pikërisht aty fillon edhe përgjegjësia e institucioneve dhe e vetë shteteve që e kanë lidhur këtë marrëveshje”, tha Nimoni.
Ai theksoi se marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze përbën një angazhim të vazhdueshëm për të dyja palët.
“Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrigjues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze, është një angazhim dhe një përkushtim i vazhdueshëm i të dyja palëve tona. Ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ka krijuar bazën për bashkëpunim”, deklaroi ai.
Sipas zëvendësministrit, zbatimi i marrëveshjes përfshin më shumë sesa vënien në funksion të institucionit korrektues. Ai tha se procesi kërkon infrastrukturë të përshtatshme, staf profesional, organizim dhe garanci se të drejtat e njeriut do të respektohen në çdo rrethanë.
“Tashmë zbatimi i saj nuk është thjesht çështje e vënies në funksion të një institucioni korrigjues; është një proces që ka kërkuar përgatitjen e infrastrukturës, staf profesional, organizimin fillestar, dhe mbi të gjitha garantimin se të drejtat e njeriut do të respektohen në çdo rrethanë”, tha Nimoni.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përgatitjes së personelit që do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, duke përmendur trajnimet profesionale dhe shkëmbimin e përvojave me institucionet daneze.
“Po aq e rëndësishme është stafi që do të bëjë përgatitjen për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Për këtë arsye, trajnimi i zyrtarëve korrigjues, ngritja e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimi i përvojave me institucionet daneze janë pjesë thelbësore e përgatitjeve tona të përbashkëta”, u shpreh ai.
Nimoni bëri të ditur se mbi 40 zyrtarë nga Kosova kanë ndjekur ose janë duke ndjekur trajnime gjashtëmujore në sistemin danez të burgjeve, me synimin që të përvetësohen standardet dhe praktikat profesionale të këtij sistemi.
“Me qëllim të aplikimit të standardeve më të avancuara dhe në përputhje me rregullimin e Mbretërisë së Danimarkës dhe atë të Kosovës, në bazë të marrëveshjes, mbi 40 zyrtarë nga Kosova kanë ndjekur dhe janë duke ndjekur trajnime gjashtëmujore në sistemin danez të burgjeve. Nga takimet tona me shërbimin danez të burgjeve, stafi ynë që ka përfunduar trajnimet tashmë është i përgatitur dhe është i gatshëm për ta kryer shërbimin”, deklaroi zëvendësministri.
Ai shtoi se bashkëpunimi me institucionet daneze paraqet mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përforcimin e kapaciteteve profesionale të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Sipas tij, trajnimet do të vazhdojnë derisa personeli i përfshirë në këtë proces të përgatitet për detyrat që do të ketë.
“Përvoja daneze dhe shkëmbimi i njohurive me institucionin përkatës, po ashtu janë mundësi e mirë që duhet shfrytëzuar për të përforcuar kapacitetet profesionale të shërbimit korrigjues edhe të Kosovës në këtë rast. Trajnimet po vazhdojnë në Danimarkë për Kosovën, ku i gjithë personeli do t’i nënshtrohet këtij trajnimi në mënyrë që të garantohet shërbimi sa më profesional dhe respektimi i të drejtave të njeriut, por gjithashtu edhe i rregullave korrigjuese”, tha Nimoni.
Zëvendësministri theksoi se respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të mbetet parim udhëheqës gjatë zbatimit të marrëveshjes dhe ekzekutimit të dënimeve.
“Përtej përgatitjeve dhe çështjeve operacionale, ekziston një parim që duhet të udhëheqë çdo veprim dhe çdo veprimtari: ekzekutimi i dënimit nuk e heq detyrimin për të respektuar dinjitetin njerëzor”, theksoi Nimoni.
Konferenca e QKRMT-së synon të trajtojë sfidat që lidhen me zbatimin e marrëveshjes Kosovë–Danimarkë, duke përfshirë përgjegjësitë institucionale, përgatitjen e personelit, mbikëqyrjen e institucionit dhe garantimin e standardeve të të drejtave të njeriut për personat që pritet të transferohen në burgun e Gjilanit në vitin 2027.




