Haxhiu thotë se Kosova ka bërë përparim në luftimin e terrorizmit

Prishtinë | 27 Shk 2025 | 14:43 | Nga Diellza Gashi

BIRN publikon raportin që paraqet angazhimin e Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi bashkëpunimin e mirë me institucionet përkatëse dhe përkushtimin për një sistem të drejtësisë efektiv dhe të qëndrueshëm.

Ajo vuri në dukje sfidat me të dënuarit për dhunë në familje, duke theksuar përpjekjet për programe rehabilituese.

“Si ministri kemi bashkëpunim të shkëlqyer që merren me këtë çështje. Që nga fillimi i mandatit jemi angazhuar me prioritet që të sigurojmë një sistem të drejtësisë të drejtë, të qëndrueshëm dhe efektiv, që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne jemi përkushtuar për të siguruar mbrojtje dhe për të siguruar të drejtat e qytetarëve. Sfidë e kemi me personat të cilët janë të dënuar për dhunë në familje, ne jemi angazhuar që të bëjmë programe rehabilituese. Në këtë drejtim po ndjekim programe me Këshillin e Evropës, por sfidën e kemi që nuk po mundemi t’i detyrojmë të burgosurit të vijnë të rehabilitohen. Edhe përkundër faktit që statistikat tregojnë një rritje të përkushtimit, ne ende nuk jemi të kënaqur. Është e jashtëzakonshme të kemi një bashkëpunim të ngushtë, kemi pasur një bashkëpunim të mirë institucional. Konsiderojmë se vetëm me punë dhe angazhim do të mundësojmë një siguri më të qëndrueshme. Në kontekstin e kërcënimit global të terrorizmit, Kosova ka bërë angazhimin për parandalimin e radikalizimit dhe luftimin e terrorizmit”, ka thënë Haxhiu.

Drejtori i Departamentit për Siguri Publike, Mensur Hoti, theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në vlerësimin e strategjive për parandalimin e terrorizmit.

“Ka qenë një kërkesë e jona që shoqëria civile të bëhet pjesë e programit dhe të bëjë vlerësimin e aktivitetit brenda strategjisë, në mënyrë që të bëhet një vlerësim sa më i mirë. Kjo e arritur nuk e kemi pasur më herët, por kjo nuk është e mjaftueshme. Deri më tani kryesisht flasim për çështjen e parandalimit. Vendi ynë është duke u angazhuar të gjejë alternativa dhe të sigurohet financimi në nivel qendror, e dyta është ngritja e kapacitetit të nivelit lokal. Do të angazhohemi bashkërisht që të arrijmë të përmbushim detyrimet tona që i kemi karshi vendit për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit”, theksoi Hoti.

Të ngjashme