Haxhiu thotë se s’i ka emrat e kryerësve të veprës në rastin Dehari: S’do ta prisja ftesën e prokurorit

Prishtinë | 20 Nën 2023 | 14:35 | Nga Erolinda Suhogrella Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dëshmuar para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin e ish-aktivistit Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.

Ajo pas dhënies së kësaj dëshmie ka mbajtur një konferencë për medie, duke thënë se po ta kishte emrin e kryerësve të veprës penale, s’do ta priste ftesën e prokurorit. Haxhiu tutje u shpreh se prokurori është ai që duhet të bëjë hetime.

“Po ta kisha emrin e kryesit apo kryersve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij, për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime, punën e tij unë nuk mund ta bëjë”.

Haxhiu ka thënë tutje se për rastin Dehari duhen hetime të mirëfillta duke thënë se prokurori Afrim Shefkiu po e trajton me arrogancë këtë rast.

“Nuk është bërë asgjë në zbardhje të vërtetës, prokurori Shefkiu përveç që se ka trajtuar, e ka trajtuar me arrogancë, nuk iu përgjigj avokatit të familjes për hetimet e mëtutjeshme. Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk e ka marrë mundin që t’u përgjigjet thirrjeve të avokatit të familjes për të informuar më shumë familjen e Astritit lidhur me punën dhe hetimet që po bëhen, me arrogancë reagoi edhe ndaj deklaratës sime të cilës i qëndroj dhe e ripërsëris sa herë të jetë nevoja. Le të më ftojë sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem njësoj sa herë të jetë nevoja”.

“Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri, dhe prokurori i rastit duhet t’i kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përpiktë, dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë të mos bëhet personi që e pengon drejtësinë. Le të kalojë kjo lëndë në duart e prokurorëve që e duan drejtësinë, edhe në Kosovë, por edhe drejtësinë për rastin Dehari”.

Ajo përmendi edhe publikimin e video-incizimeve dhe pyeti se a ka pasur hetim se kush i ka nxjerrë kamerat pa autorizim, kush ka planifikuar dhe kush ka ndihmuar të ndërmarrë diçka të tillë dhe se çfarë ka bërë prokuroria për këtë.

“Vdekja e dyshimtë e Astrit Makollit në Burgun e Lipjanit, a ka pasur hetime se për çfarë është ankuar i ndjeri Makolli në kuptimin shëndetësor dhe për çfarë arsye ka ndërruar jetë, edhe kjo është një provë. Adonis Gashi sa ishte në arrati, i njëjti përmes rrjeteve sociale deklaronte se e dinte çfarë ka ndodhur me Astritin dhe në rast se i jepej mundësia do të fliste. Pas arrestimit të serishëm të tij, i njëjti është marrë në pyetje sërish, por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave me rastin të cilin e vuan dënimin. Informatat e Adonis Gashit janë me peshë për procesin, si nuk gjendet mënyra për t’i pasur ato informacione”.

Haxhiu theksoi se një shoku të dhomës së Deharit, i dënuar për vrasje i është hequr 3.5 vite të dënimit nga ish-Presidenti Hashim Thaçi.

Sipas saj, në raportin e parë thuhet se ka munguar mostra e thonjve, e këtë është dashur ta trajtojë prokurori i rastit se kush janë personat përgjegjës që kanë dërguar zarf në institut se kinse ka prova e brenda ka qenë i zbrazët.

“Ne raportin e fundit të Institutit Zviceran thuhet se trupi i Astrit Deharit është prova më e papërdorur në këtë rast. Çfarë ka bërë Prokuroria lidhur me këtë, a duhet të mbajë dikush përgjegjësi”.

“Në raportin e parë përmendet se një fije floku ka qenë në bluzën e Astrit Deharit por që e njëjta thuhet se asnjëherë nuk është trajtuar”, tha tutje Haxhiu, ndërsa theksoi se raporti ka konstatuar përfshirjen e personave të tretë, duke deklaruar se shkencërisht përjashtohet hipoteza e vetëvrasjes. Në raportin e fundit thuhet se janë dërguar prova të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional”.

“Të nderuara media, kur jemi dëshmitarë të kaq shumë anomalive dhe nuk shohim as veprimin minimal të prokurorit që mban peng për më shumë që 5 vite rastin, patjetër që shtrojmë pyetjet përse nuk po zbardhet rasti Dehari. Pra, në drejtësi duhet dhënë llogari secili sipas përgjegjësisë”, tha Haxhiu.

Fjala e plotë e ministres Haxhiu, në konferencë për media:

Të nderuara media,

Faleminderit për interesimin rreth situatës së fundit që vjen si shkak i ftesës për të dhënë dëshminë time nga Prokurori i rastit Dehari.

cilësinë e Ministres së Drejtësisë, kam obligimin e plotë që të angazhohem për drejtësi, dhe kam obligimin moral e qytetar për t’u interesuar për vrasjen e një aktivisti politik në duart e shtetit sikurse të flas për mosveprimet nga ata që kanë të veshur petkun e prokurorit apo kujtdo tjetër.

Prokurori Special, siç jeni në dijeni, reagoi me shpejtësi ndaj deklaratës time. Por nuk ishte hera e parë që unë kam thënë diçka të tillë publikisht. Dhe për këtë ju jeni dëshmitarë.

Por, shtrohet pyetja se pse reaguan tani? Pse jo më herët?

E po ashtu a ka reaguar njësoj Prokurori Special, ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë që Astrit Dehari është vetëvrarë?

Apo, a ka reaguar po aq shpejtë ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës?

Një sërë epizodash janë zhvilluar gjatë gjithë këtyre 7 viteve, por Prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell ndaj reagimeve, apo për hetimet që është thirrur t’i zhvillojë.

Nëse tani për tani nuk mund të dihen se kush kanë qenë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët atëherë Prokurori është dashur të merret me personat që nuk e kanë kryer detyrën sipas përgjegjësisë në mënyrë që të mbërrijë tek e vërteta. Sepse mund të ketë një arsye që ata kanë bërë veprime të kundërligjshme? Mund të jenë të shtyrë apo të nxitur? Detyrë vetëm e Prokurorit është ta zbulojë këtë. Por kjo ende nuk po ndodhë. Drejtësi paralele nuk mund të bëjmë.

Dhe kur flasim për prova, Prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar por gjithçka tjetër që të qon tek e vërteta.

Po ta kisha emrin e kryesit apo kryerësve, nuk do të prisja ftesën e Prokurorit për t’u intervistuar. Ajo është puna e tij. Prandaj është prokuror. Unë punën e tij s’mund ta bëj. Vet ata shpesh më thonë që nuk je prokurore. Apo jo?

Ka vërtetë mjaftueshëm arsye për tu brengosur se përse përkundër një sërë veprimesh të dyshimta që kanë ndodhur që nga vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit, nuk janë zhvilluar ende hetime të mirëfillta. Në vijim po listoj disa:

– Deklaratat nga ish kryeprokurori Sylë Hoxha dhe ish-komandanti për rajonin Nexhmi Krasniqi që Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje – a janë marrë në pyetje, S.H dhe N.K lidhur me atë se pse me shpejtësi kanë thënë që A.D është vetëvrarë.

Dy autoritete tentuan ta deformojnë drejtësinë, për ta pamundësuar zbulimin e krimit.

– Publikimi i video incizimeve (a ka pasur ndonjë hetim ose marrje në pyetje se kush I ka nxjerrë kamerat pa autorizim në Klan Kosova) – kjo është provë. Çfarë kanë bërë Prokuroria lidhur me këtë?

– Vdekja e dyshimtë e Naser Makollit në burgun e Lipjanit – (A ka pasur hetime se për çfarë është ankuar në kuptim shëndetësor Naser Makolli dhe për çfarë arsye ka ndërruar jetë?)

– Adonis Gashi, sa ishte në arrati, i njëjti deklaronte përmes rrjeteve sociale se e dinte çfarë ka ndodhur me Astritin dhe në rast se i jepej mundësia do të fliste, pas arrestimit të sërishëm të tij i njëjti është marrë në pyetje sërish por ka kushtëzuar dhënien e deklaratave me rastin për të cilën vuan dënimin. Informatat nga Adonis Gashi janë me peshë për procesin.

– Luz Allakaj, po ashtu shok i dhomës së Astritit, i janë hequr 3.5 vite nga dënimi (i dënuar për vrasjen e 13 vjeçarit). Siç po shihni të gjithë shokët e dhomës së Astritit ose s’janë gjallë, ose janë trajtuar sikur Luz Allakaj ose s’janë proceduar aq sa duhet.

– Në raportimin e fundit, Instituti zviceran thotë se trupi i Astritit është prova më e papërdorur në këtë rast (çfarë ka bërë Prokuroria lidhur me këtë?) A duhet të mbajë dikush përgjegjësi?

– Në raportin e parë të Institutit zviceran thuhet se kanë munguar mostrat e thonjve, prokurori është dashur ta trajtojë këtë çështje, në kuptimin që kush janë personat përgjegjës që kanë dërguar zarf kinse në të ka thonjtë por që nuk ka pasur! A është dashur të jap dikush përgjegjësi për këtë?

– Në raportin e parë përmendet që një fije floku ka qenë në bluzën e Astrit Deharit por që e njëjta asnjëherë nuk është trajtuar.

– Raporti i ekspertëve zviceranë nga Lozana ka konstatuar përfshirjen e personave të tretë, duke deklaruar se shkencërisht përjashtojnë hipotezën e vetëvrasjes.

– Ne raportin e fundit të Institutit thuhet se u janë dërguar mostra të papërdorshme, që janë dëmtuar për shkak të ambalazhimit joprofesional…nuk kemi informacione të ketë nisur hetim penal kundër askujt që e kanë bërë këtë. Ku janë marrë mostrat dhe kush mbanë përgjegjësi për dëmtimin e mostrave?

Të nderuara media,

Kur jemi dëshmitarë të kaq shumë anomalive dhe nuk shohim as veprimin minimal nga ana e këtij Prokurori që mbanë peng për më shumë se 5 vitesh rastin Dehari, patjetër që shtrojmë edhe pyetjet se përse nuk po zbardhet rasti i tij.

Pra në drejtësi, duhet dhënë llogari secili sipas përgjegjësisë.

Tani më lejoni vetëm të ju njoftoj, se sa i përket kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë, ne deri tani kemi ndërmarrë këto veprime:

1. Është kërkuar raport Inspektimi nga Inspektorati i MD-së rreth rastit të Astrit Deharit dhe gjetjet kryesore në raport janë si në vijim:

1.1 Kamerat e sigurisë janë marrë nga zyrtarët në kundërshtim me ligjin; Shtroj pyetje A janë marrë në pyetje zyrtarët? Kush I ka urdhëruar që te marrin kamerat? A ka qenë Ministrja e Drejtësisë? Nëse ka dyshime a është marrë ndonjëherë në pyetje e njëjta lidhur me rastin Dehari?

1.2 Kryeinspektori Ylber Topalli ka lëshuar dy raporte kontradiktore (ai mohon se ka një raport ku rastit Dehari i referohet si “Inspektim i zakonshëm në rastin e vetëvrasjes së të paraburgosurit A.D”) A është marrë në pyetje Ylber Topalli?

1.3 Shqiptimi i masave “transfer” nga QP Prizren në QP Lipjan për stafin korrektues ka qenë konflikt interesi pasi që në Lipjan ka qenë i transferuar edhe dëshmitari Naser Makolli; A e ka trajtuar këtë gjetje të Inspektoratit Prokurori?

2. Bazuar në Raportin e Inspektimit, Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar z. Burim Buleshkaj – U.D Drejtor i Departamentit për Operativë, Siguri dhe Transport, z. Destan Zogaj – U.D Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe z. Ylber Topalli – U.D Kryeinspektor.

Që nga viti 2019 kjo lëndë është nën përgjegjësinë e PSRK, dhe nuk është bërë asgjë, në zbardhje të së vërtetës. Veprimet e Prokurorit kanë qenë minimale, ndonëse mundësitë për të ndjekur gjurmët e krimit kanë qenë dhe ekzistojnë akoma.

Prokurori Shefkiu, përveçse që nuk e ka adresuar siç duhet këtë rast, për më shumë se 5 vite, me arrogancë po i përgjigjet të gjithë atyre që duan drejtësinë për Astritin.

Prokurori Shefkiu asnjëherë nuk ka marrë mundin që t’i përgjigjet thirrjeve të avokatit, për të informuar më shumë familjen e Astritit, lidhur me punën dhe hetimet që po bënë. Me arrogancë, reagoi edhe ndaj deklaratës sime së cilës i qëndroj dhe ri-përsëris sërish dhe le të më ftojë sërish për të dhënë dëshmi, do t’i përgjigjem njësoj sa herë të më ftojë.

Hetimet e mirëfillta janë domosdoshmëri. Prokurori i rastit duhet të kryejë hetimet në mënyrë të ndërgjegjshme, të përpiktë dhe nëse kjo kërkesë për të është e pamundur të realizohet, atëherë mos të bëhet personi që pengon drejtësi, le të kalojë kjo lëndë në duart e atyre që duan drejtësi.

Të ngjashme