Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ngecja e ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e zi, për shkak të sjelljeve të opozitës, po e rëndon jetën politike në Kosovë. Haziri e ka vlerësuar si të pafalshme që Kosova të dënohet me mos liberalizim të vizave edhe për një kohë për shkak të sjelljes së një numri të deputetëve, edhe të LDK-së, karshi mosbesimit për ratifikim.
Haziri ka theksuar se Kosova në përgjithësi ka shënuar progres në shumë fusha gjatë vitit që lamë pas, përveç ngecjes së ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, e cila po kushton me liberalizimin e vizave.
“Kjo sfidë e shkaktuar nga ana e opozitës po vazhdon ta rëndoj jetën politike edhe më tutje në Kosovë”, ka thënë Haziri.
I pari i Gjilanit më tej ka theksuar se është e tepërt të kërkohet që të bindet një deputet i Kuvendit të Republikës për ta votuar një proces politik, një vendim, ligj apo ratifikim.
“Ata e kanë për detyrë të koordinohen brenda strukturave të partive që si përfaqësues të qytetarëve ta kenë rolin e vet dhe përfundimisht ta mbyllin një proces. Është e pafalshme që në të ardhmen Kosova të dënohet me mos liberalizim të vizave edhe për një kohë për shkak të sjelljes së një numri të deputetëve, edhe të LDK-së, karshi mosbesimit për ratifikim. Ne i kemi mirëkuptuar kur kanë pasur mosbesim ta votojnë kryeministrin Isa Mustafa ose ndoshta i kemi mirëkuptuar edhe për mosbesimin ndaj presidentit kur është zgjedhur, por vazhdimi i këtij mosbesimi ndaj çdo vendimi të proceseve të rëndësishme për Kosovën, është i pakuptueshëm”, tha Haziri.
Lutfi Haziri më tej ka folur edhe për mundësin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke thënë se për LDK-në, zgjedhjet nuk janë zgjidhje e problemeve në Kosovë.
“Duhet t’i qëndrojmë lojal kalendarit zgjedhor, të përgatitemi për zgjedhjet lokale dhe ta përmirësojmë procesin zgjedhor në mënyrë që të jetë proces më i thjeshtë për votuesit, më i besueshëm si rezultat dhe të eliminohet çdo lloj tendence për manipulim eventual. Ne nuk e kemi as komoditetin buxhetor e as politik sa herë që të kërkojnë grupet politike për të dalë në zgjedhje. Para vitit 2018 do të ketë vetëm zgjedhje lokale, ndërsa ato nacionale përfundimisht mbahen në vitin 2018”, u shpreh Haziri