Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka pritur sot në takim zëvendës ambasadoren amerikane, Colleen Hyland, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë programit “Ta Ruajmë Ambientin”, sikurse edhe për programet tjera në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
Kryetari Haziri dhe zv.ambasadorja amerikane kanë marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Fëmijët mund të Ndihmojnë” me punime të 32 nxënësve të Gjilanit me shenjat për mbrojtjen e mjedisit, në kuadër të programit “Ta Ruajmë Ambientin”, projekt ky i cili është realizuar nga organizata “Balkan Union” dhe Drejtoria e Arsimit, me nxënësit e tetë shkollave fillore të Gjilanit për katër muaj rresht.
“Është kënaqësi që t’i mbështesim këto projekte në kuadër të ambasadës së ShBA-ve në Kosovë. Mendoj se ky është një projekt i suksesshëm dhe është e rëndësishme angazhimi i të rinjve për mbrojtjen e ambientit. Është thënë se të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës dhe aktivitetet si ky tregojnë se kjo është e vërtetë. Ju nxënësit keni ndërmarrë hapin më të rëndësishëm, jeni angazhuar për vetëdijesim për ndikimin tonë në mjedis. E di se keni ndikuar edhe te moshatarët tuaj dhe te komuniteti”, ka thënë zëvendës ambasadorja, Hyland.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar për mbështetje financiare dhe politike zv.ambasadoren Hyland dhe organizatën “Balkan Union”, KVRL-në dhe Njësinë për Rini për implementim të këtij programi, të cilin e ka vlerësuar të suksesshëm.
“Në veçanti, i falënderoj ekologët e rinj për punën e tyre në vetëdijesimin për mbrojtjen e ambientit. Ky është një program i vogël, por shumë i rëndësishëm për komunitetin. Prandaj, po ndihem tepër mirë që është implementuar me sukses”, ka thënë Haziri.
Fjalë rasti në këtë ngjarje pati edhe drejtoresha e organizatës “Balkan Union” nga Gjilani, Rrezarta Zeka Jakupi, drejtoresha e DKA-së, Shqipe Kastrati Haziri dhe nxënësja Lorina Bajrami, e cila është njëra ndër vullnetaret e shumtë që ka punuar në këtë projekt.
Përndryshe, 120 ekologë të rinj kanë qenë pjesë aktive dhe vullnetare e projektit, të cilët janë angazhuar për pastrimin e hapësirave publike të oborrit të Spitalit të Përgjithshëm dhe Kampusit të Shkollave te Mesme.