Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së kësaj partie një ditë para se të mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka thënë se me kryetarët e degëve të LDK-së kanë finalizuar angazhimin për ndërtimin e një mobilizimi të delegatëve, ku ka theksuar se do të marrin pjesë 355.
“Ne me kryetarët e degëve të LDK-së , po punojmë për mobilizimin e delegatëve të LDK-së. 355 delegatë tashmë veç se kanë konfirmuar pjesëmarrjen. LDK-ja po përafron qëndrimin e kandidatit që përfaqëson unitetin e të gjitha strukturave. Natyrisht që në të njëjtën kohë garanton pjesëmarrje për të gjitha ata që nesër i paraqesin kandidaturat. Gjithashtu, gjatë mbledhjeve është përafruar mbështetja lidhur me kandidatin që paraqet unitetin. Unë i përmbahen angazhimit tim, ne po i finalizojmë punimet ”, tha Haziri.
“Unë jam pjesë e ekipit i cili po punon në këto angazhime , dhe besoj shumë që deri nesër kureshtja nuk do të shuhet nga askush”, tha ai, raporton EO.
“Marrëveshja politike nuk ka pas të bëjë me një emër të përveçëm , por me përfaqësimin e komunitetit më të gjerë të LDK-së”.
Haziri ka thënë Qeveria nuk mund të funksionoj pa LDK-në.
“LDK nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për të konfirmuar peshën e saj, pa LDK-në nuk ka zgjidhje dhe zgjedhje. Pa LDK-në partitë rrëzohen shumë shpejt”, ka shtuar ai.