Në 100-ditëshin e punës pas emërimeve të larta, nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja numër 27 e bordit të drejtorëve, e cila ka qenë e hapur për publikun.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha për avancimin edhe më tutje të transparencës dhe llograridhënies për publikun, do të mbahen edhe 10 dëgjime buxhetore, sikurse edhe debate tjera publike në lagje e fshatra të
Komunës për të diskutuar me qytetarët për çështje të ndryshme.
Ndërkohë, kryetari Haziri ka njoftuar opinionin se sot Komuna nënshkruan programin e katërt të fituar nga Komisioni Europian në vlerë prej 400 mijë euro për përfshirjen e të rinjve dhe femrave në programet bujqësore.
Haziri tha se gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar partneritetin me qeverinë amerikane, zvicerane e gjermane, në aspektin e rehabilitimit të ujësjellësit dhe në përfshirjen e të rinjve në punësim, sikurse edhe në shërbime publike.
“Kur e kam marrë mandatin në fund të vitit 2013, e kam përmendur vazhdimisht se Gjilani nuk ka pasur investime publike shkaku se nuk ka pasur miq politik dhe as ata që në kuptimin njerëzor e mbështesin. Tash, Gjilani ka shumë miq dhe bashkë me ta e ka arritur kuotën e investimeve në vlerë prej 26 milionë euro investime publike në vit, pa e llogaritur autostradën dhe investimet tjera. Gjilanit i kthyem miqtë vendor e ndërkombëtar, duke e bërë vend të jetueshëm”, ka thënë Haziri.
Haziri ka nënvizuar se është duke u rindërtuar stadiumi i qytetit, përderisa do të ndërtohen edhe dy stadiume ndihmëse të tjera për nevoja të klubeve gjilanase në partneritet me Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Përvec tjerash, jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve dhe ujësjellësit nëpër lagje e fshatra. Ndërsa, projekti i ndërtimit të rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan-Livoç i Ulët po vazhdon me intensitet të shtuar dhe pritet të bëhet rruga e dytë model, pas asaj Gjilan-Bujanoc’, tha Haziri.
Lidhur me partneritetin publiko-privat me kompaninë së mbeturinave “Ecohigjiena”, i pari i gjilanasve theksoi se edhe më tutje Komuna vazhdon të ketë raporte të jashtëzakonshme juridike.
“Nënkryetari Arbër Ismajli në ekip është mandatuar për t’i zgjidhur këto probleme sipas nenit të kontratës, i cili lejon edhe mundësinë e ndarjes. Ose duhet ta tejkalojmë këtë situatë dhe ta funksionalizojmë raportin e partneritetit ose aty ku s’ka partneritet ka divorc”, ka thënë Haziri, duke u zotuar se edhe partneriteti tjetër publiko-privat për kampusin e shkollave të mesme do të zbatohet sipas kontratës.
Në takimin e bordit të drejtorëve në 100 ditëshin e emërimeve, Haziri ka lavdëruar tre mekanizmat ndërkomunal, Këshilli për Sigurisë në Bashkësi, Mekanzimi Kundër Dhunës në Famije dhe Mekanizmi Referues, duke i vlerësuar si më të suksesshmit në Republikën e Kosovës.
Haziri në këtë takim ka përgëzuar fshatrat, Pogragjë, Dobërçan, Lladovë e Zhegër, të cilët nën organizimin e shoqatave të bashkatdhetarëve, e kanë sjellë kulturën e shteteve perëndimore sa i përket pastërtisë dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.
Ndërkohë, kryetari Lutfi Haziri ka informuar se në shtator pritet të bëhet shenjëzimi i rrugëve shesheve dhe vendbanimeve, ndërsa është shprehur i lumtur që tashmë me mbështetjen e qeverisë së Kosovës në ndarjen e lokacionit, e kanë zgjidhur problemin e varrezave të qytetit për 100 vitet e ardhshme.
Haziri ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të mbjellin fidane dhe drunjë dekorativ në të gjithë territorin e komunës, për ta përmirësuar aspektin e mjedisit.
Gjatë këtij takimi, kanë raportuar secili nga drejtorët komunalë për punën 100 ditëshe rreth realizimit të objektivave dhe sfidave.
“Deri në mbledhjen e ardhshme, unë ju lus që të gjitha rekomandimet t’i merrni seriozisht. Përndryshe, nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që nuk i realizojnë objektivat. E keni detyrë ligjore t’i zbatoni”, ka përfunduar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.