Haziri: Kushtetuesja foli, tri institucionet kryesore të koordinohen mes vete

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka konstatuar se vendimi i ndalim-qarkullimit për shkak të pandemisë Covid-19 nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën duke e shpallë të pavlefshëm.

“Gjykata Kushtetuese foli sot. Natyrisht që ne si LDK kur është sjellë ky vendim në Qeveri kemi qenë pjesë aktive e qeverisë dhe kemi paralajmëruar që mund të ketë edhe pasoja në raport me Gjykatën Kushtetuese”.

“Si i tillë vendimi në momentin që është votuar nga Qeveria dhe ne na është lëshuar në qarkore, unë jam një nga të parët që jam deklaruar që çdo vendim të qeverisë do ta zbatoj derisa nuk flet Gjykata Kushtetuese”.

“Kështu ndodhi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë si kristali dhe duhet ta lexojmë drejt. Mirë ka bërë gjykata që deri më 13 prill e ka lënë këtë vendim në fuqi, sepse deri atëherë do të kemi mundësi të riaranzhojmë gjithçka që ka të bëjë me luftimin e pandemisë – ku edhe unë jam në vijë të angazhimeve institucionale për të parandaluar dëmtimin e shëndetit publik”.

“Mos harroni, baza ligjore në të cilën është bazuar sjellja e vendimit të parë është parandalimi i sëmundjeve ngjitëse. Shkalla e parë e emergjencave në Kosovë po mbahet për shkak të politizimit që ka ndodhur mes dy institucioneve kryesore në shtet”.

Por, a pati presidenti Hashim Thaçi pati të drejtë kur në konferencën e tij tha se ky vendim i Qeverisë Kurti është shkelje e të drejtave dhe lirisë së lëvizjes?

“Me mënyrën se si e ka bërë në asnjë mënyrë nuk i jap të drejtë, sepse janë mekanizmat dhe kanalet e komunikimit që presidenti, kryeparlamentarja dhe kryeministri – si autoritetet më të larta kushtetuese – duhet të komunikojnë”.

“Komunikimi përmes publikut dhe mënyra e shpalosjes së iniciativave kushtetuese, apo moskomunikimi ka sjellë ujë te turbullt në shtratin tonë. Ne nuk mund ta pastrojmë turbullirën që sjellin vendimet e tilla”

“Ne apelojmë që në ‘kamën e pulës’ në tri pikat kryesore kushtetuese – presidenti, kryeparlamentarja dhe kryeministri – duhet të koordinohen mirë mes vete, pavarësisht dallimeve, qëndrimeve personale dhe raporteve që kanë e kanë detyrë kushtetuese mos të dalin me qëndrime të ndryshme në situatat emergjente publike”.

Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se edhe LDK-ja e ka pjesën e vet të përgjegjësisë për këtë vendim të Qeverisë Kurti që u shpall si anti-kushtetues.

“Ne jemi në qeveri ende. Natyrisht që pjesëtohet përgjegjësia e plotë. Kryeministri është autoriteti kryesor në Qeveri, por kabineti është forumi ku merren vendimet. Çdo lloj vendimi, përveç detyrave kushtetuese që ka kryeministri, merren në qeveri”.

“Problemi është që kjo kompetencë nuk është e Qeverisë. Gjykata Kushtetuese tha që kjo kompetencë është e Kuvendit, dhe nuk është as e presidentit dhe as e Qeverisë”.

“Ne duhet ta lëmë pas shpinës këtë çështje. Duhet të merremi me parandalimin  e përhapjes së Covid-19 – që është virus i rrezikshëm dhe ende i panjohur. Ky vendim ka sjellë probleme, sepse lirimi I qarkullimit ka bërë që qytetarët të dalin jashtëzakonisht shumë me vetura dhe është thyer vetëpërmbajtja”.

“Qytetarët po dalin në ajër të pastër që në fakt është ajër me kërcënime serioze. Vetura nuk të strehon nga virusi, përkundrazi dalja pa arsye në rrugë shkakton potencialisht shpërthimin e virusit. Rasti në Kamenicë dhe në disa komuna që nuk kanë qenë të prekura janë tregues i qartë që dy javët e ardhshme janë mundësi që në ta izolojmë virusin dhe të mos e lejojmë që të dalë nga pikat ku ekziston”.

Të ngjashme