Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për çështjen e formimit të mundshëm të një qeverie të re nën udhëheqjen e LDK-së.
Haziri ka thënë se LDK është e gatshme të bashkëpunoj me cilëndo parti, përveç PDK-së.
“LDK edhe PDK nuk kanë bashkëpunim prej momentit kur PDK bashkëpunoi për rrëzimin e qeverisë së Isa Mustafës. Bashkëpunimi me ta është në nivelin 0, ata kanë rrënuar urat e bashkëpunimit. PDK nuk do të jetë e ftuar në asnjë qeverisje që LDK e merr përsipër, ose nëse ata e marrin një mandat LDK nuk i shkon në qeverisje PDK-së, kjo është e qartë si kristali. Unë besoj që politikisht LDK është partia e vetme që nuk e ka problem me bashkëpunua me të gjithë, përveç me PDK-në”, tha Haziri.
I pyetur se a i ka numrat LDK-ja dhe se a varet formimi i qeverisë nga votat e Listës Serbe, pasi që PDK ka deklaruar se nuk do ta mbështesë formimin e qeverisë nga ana e LDK-së, Haziri shtoi se Lista Serbe do të ketë rol kushtetues në pjesëmarrje të qeverisë, njëjtë sikurse në koalicionin LDK-LVV.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri gjatë intervistës për “Përballje ditore” në Telegrafi.com
Haziri tutje shtoi se qeverinë e re nën udhëheqjen e LDK-së pritet ta mbështesin 67 deri në 70 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Shumica e re parlamentare pritet t’i ketë 67 deri 70 deputetë si mbështetje. Lista Serbe në raport politik do ta ketë rolin e njëjtë siç e ka pas në koalicionin LDK-LVV”, u shpreh Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, njëherësh edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri më tej në këtë intervistë, theksoi se në LDK nuk është diskutuar për emra e as parti konkrete, ani pse theksoi se Isa Mustafa është i padiskutueshëm si kandidat për kryeministër.
“Sipas detyrës zyrtare, profilit politik dhe besimit Isa Mustafa është i padiskutueshëm, mirëpo mbetet në autoritetin e tij me vlerësua, se a do ta propozojë një emër të tretë i cili merr besimin konsensual të LDK-së”, tha Haziri.
Ai theksoi se LDK dhe Isa Mustafa nuk punon dhe nuk merr pjesë në asnjë lloj procesi i cili është në kundërshtim me Kushtetutën.