Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se nuk do të diskutojnë për çështjen e presidentit, tash kur AAK’ja veçse e ka propozuar për këtë pozitë Ramush Haradinajn.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri thotë se për karrigen e të parit të shtetit diskutojnë vetëm nëse i konfirmohet aktakuza presidentit Hashim Thaçi.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se aktualisht, nuk e kanë shqyrtuar fare çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, kjo çështje do të shqyrtohet vetëm në rast se konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara, apo në rast të zhvillimeve tjera.
“Përderisa nuk ka ndryshim të gjendjes te Zyra e Presidentit, nuk kemi kurrfarë qëndrimi dhe nuk kemi biseduar me askënd për këtë çështje. LDK-ja vazhdon ta ketë rolin e vet në qeverisje dhe prioritetet është dialogu me Serbinë”, theksoi Haziri në një prononcim për REL’in.
Ai shtoi se në rast se arrihet deri te situata, në të cilën është e domosdoshme zgjedhja e presidentit të ri, atëherë LDK-ja do të bisedojë në radhë të parë me partnerët e koalicionit qeverisës, por edhe me partitë opozitare, si dhe shoqërinë civile.
Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri, së fundmi ka nxitur debate, pas pretendimeve që ka shfaqur për marrjen e kësaj pozite partneri tjetër në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj Ramush Haradinaj.
Nënkryetari i LDK-së Haziri, ka theksuar që zgjedhja e presidentit, në rast se do të jetë e domosdoshme, duhet të ndodhë me marrëveshje dhe nuk mund të ketë ekskluzivitet nga asnjë palë, por gatishmëri që t’i shërbehet vendit.
“Sikurse në rastin e AAK-së, ku Haradinaj ka treguar gatishmërinë apo në rastin e ndonjë partie tjetër që nesër mund të ofrojë. Kjo është çështje e pastër politike që unë e mirëkuptoj. Por, besoj që nuk është koha që në këtë fazë të shtrohet si prioritet çështja e presidentit të vendit. Kjo është ajo që kryetari i LDK-së (Isa Mustafa) në takim e ka konfirmuar si qëndrim jo vetëm të tij, por edhe të LDK-së”, theksoi Haziri.