Komuna e Gjilanit me vendosmërinë e kryetarit Lutfi Haziri, ka pranuar në një afat shtatë ditor rreth 100 kërkesa nga ana e qytetarëve me projekte për investimet gjatë vitit 2017.
Nga lëndët e pranuara, kërkesat e gjilanasve janë kryesisht për investime në infrastrukturë publike, e që janë kërkesa komunitare.
Kërkesat e dërguara në adresën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, janë pothuajse nga të gjitha vendbanimet, urbane dhe rurale, duke kërkuar që në listën investive të realizohen projekte kryesisht në ndërtim të rrugëve, investimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, ndriçimin publik, trotuaret, gjelbërimin dhe fusha të tjera me rëndësi të cilat janë në kuadër të infrastrukturës.
Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur lista totale të këtyre projekteve do të harmonizohet edhe me planifikimin e hershëm për investimeve në bazë të buxhetit, dhe do të vendosen menjëherë prioritetet e investimeve.
Haziri është zotuar se nuk do të ketë asnjë ndasi sa i përket investimeve qytet e fshatra.
“Është shumë i rëndësishëm fakti që kemi krijuar balancë investimesh qytet-fshat”, ka thënë Haziri
Përndryshe, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fillim të këtij viti u ka dhënë afat shtatë ditor të gjithë qytetarëve, që t’i paraqesin kërkesat e tyre, duke kërkuar që ato të jenë me interes publik.