Pas ngritjes së aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Prokurorisë, kryetari i komunë së Gjilanit, Lutfi Haziri përmes një deklarate dërguar medieve ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë lidhur me këtë çështje.
“Për hir të informimit të opinionit, ju njoftoj se prokuroria e Gjilanit i ka pushuar hetimet për këtë rast vitin e kaluar në mungesë provash dhe ne e posedojmë shkresën zyrtare. Para kësaj kontrate nuk ka pasur një menaxhim nga Komuna dhe është shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme”.
“Ndërsa, administrata e re ka filluar së zbatuari ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, duke bërë menaxhimin e parkingjeve dhe pronës publike në bazë të ligjit dhe duke shfrytëzuar të gjitha procedurat konform ligjit”.
“Prandaj, nuk ka asgjë të vërtetë aty. Përkundrazi, nga një shfrytëzim kundërligjor i parkingjeve, e kam kthyer në shfrytëzim sipas ligjit dhe atë në mënyrën më transparente të mundshme. Dikujt i ka penguar kjo, por koha do ta dëshmojë”, thuhet në deklaratën për media të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.