Haziri: Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar – amerikanët mund të ndëshkojnë

Prishtinë | 08 Qer 2023 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili është edhe përgjegjësi i kësaj partie për dialog me Serbinë, thotë se në Kosovë katër qeveri kanë ra në Kosovë për shkak të mosarritjes që të implementojnë politika që janë të koordinuara me SHBA-në dhe BE-në. Por, për Qeverinë aktuale thotë se e ka kontaminuar për së tepërmi politikisht ambientin në Kosovë në relacionet me BE-në dhe me NATO’n.

Haziri thotë se raporti i Qeverisë së Kosovës me SHBA-në është ultimativ, derisa për deklaratat e emisarit amerikan Gabriel Escobar se kryeministrit Kurti i mungon instikti i bashkëpunimit janë shumë shqetësuese

“Amerikanët janë të qartë si kristali kur flasin”, thotë Haziri.

Haziri është përgjigjur të mërkurën në disa pyetje të Gazetës Express duke thënë “se mbetet të shihet se si do të riparohet dhe se si do të tejkalohet kjo situatë e tensionuar me BE-në, NATO-n dhe SHBA, ndërsa sa i përket sanksioneve të paralajmëruara, Haziri nuk e përjashton.

“Mund të ketë edhe ndëshkime politike, të cilat janë paralajmëruar”.

Por, si mund të dalë Kosova nga kjo gjendje?

“Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar” thekson Haziri.

“Tash është raporti ultimativ me qeverinë e Kosovës. Sot është vonë sepse tash jemi në afate dhe limite kohore, të cilat qeveria dhe kryeministri Kurti duhet t’i plotësojë. Thirrja jonë ka qenë që prej ditës së parë që partneriteti i ngushtë me SHBA dhe bashkëpunimi me BE është rrugë njëdrejtimshe për aspiratat e republikës sonë dhe për interes edhe të zhvillimit të brendshëm të kësaj Republike. Z. Kurti po vazhdon politikën një hap para, dy prapa. Është kriza e shtatë që është prodhuar në mandatin e tij. Se a do të jetë sot a nesër koha e fundit, këtë vetëm ai që e ka deklaruar mund ta interpretojë. Por, ne duhet ta dimë që jemi vonë dhe dëmi i Republikës sonë tashmë është shkaktuar. Se si do të riparohet dhe se si do të tejkalohet kjo situatë e tensionuar me BE-në, NATO-n dhe SHBA, mbetet të shihet. Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar”.

Të ngjashme