Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka mohuar lakimin e emrit të tij si kandidat potencial për kryeministër. Haziri në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se nuk është biseduar në lidhje me këtë temë derisa i ka quajtur spekulime informatat e tilla.
Ai thotë se e vetmja zgjidhje janë mbajtja e zgjedhjeve të cilat sipas tij LDK-ja i ka kërkuar tash e 1 vit.
“Nuk ka asnjë emër duke e përfshirë as emrin tim apo të dikujt tjetër pa proces zgjedhor. Zgjedhjet janë ato që përcaktojnë partinë fituese e mandej partia e bënë nominimin apo vendimmarrjen sa i përket kësaj, deri atëherë është vetëm spekulim dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë dhe asnjë mënyrë nuk duhet me lejuar që me pasë qeveri pa legjitimitet sepse edhe ashtu ne tash e 15 muaj kemi kërkuar zgjedhjet të hershme, jo në këtë formë që kanë ardhur, por kjo është fakt tashmë”.
Haziri ka thënë se ende nuk ka kandidatura të shpallura sa i përket zgjedhjeve të brendshme në LDK.
“Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është duke udhëhequr procesin e brendshëm të konsultimeve dhe vlerësimeve pas përfundimit të zgjedhjeve në nivel të degëve dhe natyrisht është në autoritetin e tij me ndërtuar, me përgatitë dhe me organizu edhe kandidaturat eventuale. Deri atëherë gjithë ne jemi pjesë të një marrëveshje të punës të përbashkët, jemi lojal ndaj këtij procesi dhe natyrisht nuk ka ende kandidatura të shpallura”.
Haziri beson se LDK-ja do të jetë fituese në këto zgjedhje. Ai thotë se përveç këtij mandati ajo do të udhëheq vendin edhe në mandatin e ardhshëm pas dy vjetëve.
“Unë jam për një marrëveshje, kam qenë vazhdimisht tash disa vite sepse periudha post-Rugoviste dhe post-Indipendente në LDK ka kërkuar një tranzicion i cili shkon sipas një marrëveshje politike meqenëse kishim arrit me rujt unitetin që është krijuar, me rrit unitetin edhe me fitu besimin e qytetarëve për të udhëheq Kosovën në dekadën e ardhshme jo vetëm në mandatin e ardhshëm”.
Se a kanë përfunduar zgjedhjet brenda kësaj partie, Haziri tha se me 3 gusht do të ketë manifestim solemn ku edhe do të nxirren organet e reja që do të marrin mandatin.
“Ne kemi tashmë një datë me 3 gusht për Kuvendin. Kuvendi do të jetë manifestim politik solemn i cili do të nxjerrë edhe organet e reja që do të marrin mandat, një ekip i madh politik një lidership i madh politik i vili jo vetëm që është gati për zgjedhje e hershme është e gatshme me i marrë përgjegjësit karshi sfidave që ka sot Kosova, karshi problemeve që sot janë grumbulluar në Kosovë dhe natyrisht me u bë gati edhe për zgjedhjet e hershme parlamentare edhe përzgjedhjet e pritura lokale të cilat janë pas dy viteve që nuk është kohë e gjatë”, ka përfunduar Haziri .