Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe pengesat për miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, janë iniciativë e partive opozitare.
Ai e ka pranuar se brenda koalicionit ka telashe, por kjo sipas tij, nuk do të thotë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Zgjedhje të jashtëzakonshme, zgjedhje të parakohshme, mocione mosbesimi, mosbesim publik ndaj vendimeve të shtetit, pengesa për ratifikimin e marrëveshjes, pengesa për liberalizimin e vizave etj., janë iniciativa të partive politike që janë në opozitë”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se LDK-ja është në qeverisje me PDK-në, dhe në të njëjtën kohë e ka edhe rivalin më të madh politik.
“Që prej pasluftës ne jemi dy parti rivale, por asnjëherë nuk e kemi penguar njëra-tjetrën për interes të shtetit që të punojmë dhe bashkëpunojmë. Ky historik i bashkëpunimit është prej vitit 2002. Por, kjo nuk domethënë që nuk ka telashe brenda funksionimit të qeverisë, mirëpo jo ato që e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të funksionimit të qeverisë. Qeveria ka funksionuar si kabinet qeveritar dhe si i tillë i atribuohet çdo ministri dhe anëtari të kabinetit”, ka deklaruar Haziri për gazetën Bota Sot.
Haziri ka thënë se LDK-ja është e hapur për koalicione ideologjike, por preferon koalicionet ideologjike të qendrës së djathtë.
“LDK është treguar vazhdimisht e hapur për koalicione ideologjike parazgjedhore dhe për absorbimin e unifikimin e të gjitha strukturave të vjetra, të reja apo kategorinë e grup njerëzish që dëshirojnë ta ndihmojnë Kosovën përmes LDK-së. Ne i kemi dyert e hapura, por i favorizojmë koalicionet ideologjike të qendrës liberale, qendrës së djathtë dhe të atyre që dëshirojnë të japin kontribut përmes LDK-së”, është shprehur nënkryetari i LDK-së.