Hazrolli u bën thirrje qytetarëve: Nesër vendoset për Kosovën që duam

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Gëzim Hazrolli, një ditë para zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi dhe besim për të ardhmen e vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Hazrolli tha se nuk po kërkon vetëm votën e qytetarëve, por edhe besimin e tyre për të vazhduar angazhimin në shërbim të Kosovës.

“24 orë para vendimit. 24 orë para se qytetarët e Kosovës të shprehin vullnetin e tyre me votë. Sot nuk ju drejtohem vetëm për të kërkuar votën tuaj. Ju kërkoj besimin për të vazhduar një rrugë që e kemi ndërtuar së bashku ndër vite, në shërbim të Kosovës, të shtetit tonë dhe të dinjitetit qytetar”, ka shkruar Hazrolli.

Ai ka theksuar se gjatë gjithë angazhimit të tij ka qenë pranë qytetarëve dhe se do të vazhdojë të punojë me të njëjtin përkushtim.

“Kam qenë pranë jush në kohët më të vështira për vendin tonë dhe sot qëndroj përsëri para jush me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin betim për Kosovën. Mbështetja juaj, besimi që ma keni dhënë dhe çdo takim gjatë kësaj fushate kanë qenë motivi im për të vazhduar këtë rrugëtim me përgjegjësi dhe vendosmëri”, ka thënë ai.

Hazrolli i ka ftuar qytetarët që në ditën e zgjedhjeve të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të vendosin për drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Nesër është dita kur vendosim për të ardhmen. Ju ftoj që, me besim dhe përgjegjësi, ta hedhim së bashku hapin e radhës për Kosovën që e duam”, ka shkruar Hazrolli.

Ndërkaq, Hazrolli kandidon me numrin 35 në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me numër partie 113.

Të ngjashme