Hendbollistët e Kosovës (U20) shënojnë fitoren e parë

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 09:04 | Nga

Përfaqësuesja U20 e Kosovës në hendboll (meshkujt) ka shënuar fitoren e parë në kampionatin evropian, Divizioni B, që po mbahet në Mali të Zi. Fitoren e arriti të hënën duke e mposhtur Moldavinë me rezultatin 32:26.

Me 14 gola, më efikasi te Kosova ishte Jon Muqolli, kurse Drenit Tahirukaj realizoi tetë. Kosova është mposhtur në dy ndeshjet e para të raundit paraeliminator të Grupit A. Ka humbur nga Holanda (34:21) dhe nga Çekia (22:15), shkruan sot “Koha Ditore”.

Të mërkurën do të luajë kundër Austrisë, kurse të enjten do ta luajë ndeshjen e fundit në këtë fazë, kundër Bullgarisë. Fitorja ndaj Moldavisë nga Federata e Hendbollit e Kosovës është vlerësuar e madhe.

Ndërkohë më 29 korrik përfaqësuesja U18 do të grumbullohet për paraqitje në kampionatin evropian, Divizioni B, që do të mbahet në Austri nga 10 deri më 19 gusht. Në Grupin B të raundit paraeliminator, Kosova do të jetë bashkë me nikoqiren Austrinë, Sllovakinë, Holandën, Letoninë dhe Bullgarinë. Edhe përfaqësuesja A e Kosovës do të ketë aktivitete. Sot dhe nesër do të jetë mysafire e Sllovenisë për dy ndeshje miqësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme