Hendeku midis burrave dhe grave, i matur në aspektin e ndikimit politik, përfitimit ekonomik, shëndetësisë dhe arsimit, është ngushtuar gjatë vitit të kaluar, por do të duhet edhe një shekull tjetër për t’u zhdukur, thuhet në rapoortin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror.
Raporti parashikon se do të duhen edhe 99.5 vjet që gratë të jenë në pozitë të barabartë me burrat.
Vitin e kaluar, parashikimi ka qenë për 107.5 vjet.
Sipas raportit, gratë janë duke mbyllur hendekun gjinor në fusha të tilla si: politika, shëndetësia dhe arsimi.
Por, thekson raporti, pabarazia gjinore po përkeqësohet në vendet e punës, pavarësisht kërkesave në rritje për trajtim të barabartë.
Po sipas raportit, gratë në të gjithë botën fitojnë mesatarisht 40 për qind më pak se burrat, për punë të ngjashme në pozita të ngjashme.
Forumi Ekonomik Botëror, grup me seli në Zvicër, monitoron pabarazitë midis gjinive në 153 vende të botës.
Në listën e këtij viti për barazi gjinore prijnë: Islanda, Norvegjia dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Pakistani, Iraku dhe Jemeni.