“Heronjtë e pandemisë” në protestë, pa paga qe tre muaj

Prishtinë | 25 Maj 2022 | 08:26 | Nga Ekonomia Online

Kur më së shumti kishin nevojë për ta, në valën e pandemisë me COVID-19 i angazhuan në punë dhe i quanin heronj për punën që bënin.

Por këta punonjës shëndetësorë nuk është se u shpërblyen ashtu siç e merituan mundin që dhanë, shpesh herë duke rrezikuar edhe veten.

Mbi 1 mijë profesionistë shëndetësorë, bashkë me stafin mbështetës të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në luftë kundër pandemisë në Kosovë, nuk kanë marrë paga për më shumë se tre muaj.

Këta punonjës ishin marrë në punë me kontratë të përkohshme për gjashtë muaj në mënyrë që të administrojnë me kurën anti COVID dhe të ndihmojnë pacientët e infektuar me këtë virus.

Kjo situatë është e pa pranueshme për sindikalistët, të cilët kanë treguar për Klan Kosova se këta punonjës mbahen vetëm me atë pagë, pasi që janë të përjashtuar nga të gjitha beneficionet tjera, si pagesa e punës gjatë natës e pagesa e orëve shtesë.

Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar ndaj luftës së pandemisë COVID-19 do të protestojnë këtë të mërkurën nga ora 9:00 deri në ora 10:00.

“Ne, infermierët dhe stafi mbështetës të punësuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë paqësore do të shprehim pakënaqësitë tona lidhur me pagat të cilat nuk na janë dhënë për gati tre muaj”, thuhet në njoftimin për protestë.

Të ngjashme