Një hetim i ri gjyqësor është hapur ndaj kryetarit të Bashkisë së Ankarasë, Mansur Yavaş, pas miratimit nga Ministria e Brendshme, mes akuzave për keqpërdorim të burimeve bashkiake gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2023.
Konkretisht, ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, ka dhënë autorizimin për zhvillimin e hetimit, pas pretendimeve se gjashtë automjete të Bashkisë Metropolitane të Ankarasë janë përdorur në një tubim elektoral në zonën e Karabükut. Sipas akuzave, përdorimi i këtyre automjeteve ka shkaktuar dëm ekonomik për shtetin.
Në kuadër të të njëjtit rast, më herët ishte dhënë leje për hetim edhe ndaj drejtuesit të Departamentit të Punëve Publike, Aziz Murat Seyrek. Mansur Yavaş ka të drejtë të ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë Administrative brenda 15 ditëve.
Pas këtij zhvillimi, Bashkia Metropolitane e Ankarasë ka reaguar me një deklaratë zyrtare, ku theksohet se dosja në fjalë nuk përmban asnjë provë konkrete që të dëshmojë se kryetari ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë për përdorimin e automjeteve.
Përkundrazi, sipas bashkisë, bëhet fjalë për një përpjekje për të atribuar përgjegjësi mbi bazën e supozimeve dhe jo të fakteve të dokumentuara.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Mansur Yavaş pritet të dalë në një konferencë për shtyp për të sqaruar çështjen.
Aktualisht, në Gjykatën e Lartë Administrative janë në shqyrtim dy dosje aktive ndaj kryetarit të bashkisë.
Çështjet e tjera janë tërhequr, ndërsa dy rastet që mbeten lidhen, nga njëra anë, me një koncert dhe, nga ana tjetër, me kundërshtimin e shprehur nga bashkia ndaj parregullsive urbanistike të administratës së mëparshme. /Panorama