Hetohen disa tenderë në komunën e Klinës

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 07:33 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i pavarur i Iniciativës Qytetare të Klinës në Kuvendin Komunal të Klinës, Gjokë Lleshaj, kishte ngritur në një takim të Kuvendit vitin e kaluar shqetësimet e tij për keqpërdorimet e mundshme në disa tenderë të Komunës së Klinës, e cila qeveriset nga koalicioni i gjerë AAK, LVV, LDK dhe Nisma. Pas këtyre deklaratave, siç tha ai, është kontaktuar nga hetuesia, shkruan KOHA.

“Unë i kam ngritë vjet në Kuvendin Komunal dyshimet e mia për keqpërdorim dhe abuzim me tenderë nga qeveria lokale. Hetuesia me kontaktuar pastaj pasi kam ngritur këto çështje në kuvend dhe kanë kërkuar që t’i arsyetoj ato dyshime dhe unë i kam arsyetuar se kam pasë dokumente dhe të gjitha i kam dokumentuar. Deklaratë në hetuesi nuk kam dhënë dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur tutje”, tha Lleshaj për KOHËN.

E tutje kanë ndodhur hapat e parë të hetimeve nga Prokuroria Themelor e Pejës, e cila siç konfirmoi zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, është në fazën fillestare të hetimeve. “Departamenti i krimeve të rënda i Prokurorisë Themelore të Pejës është duke i ndërmarrë disa veprime parahetimore për disa procedura të tenderimit në Komunën e Klinës. Aktualisht jemi në fazën fillestare të grumbullimit të informatave dhe veprimeve paraprake hetimore në koordinim të plotë me njësitin kundër krimeve ekonomike”, konfirmoi Nikçi për KOHËN.

Për shkak se gjenden në fazën fillestare të hetimeve, Nikçi nuk dha informacione të tjera rreth tenderëve që po hetohen. Mirëpo, këshilltari opozitar në Kuvendin Komunal, që ka ngritur këtë çështje në Kuvend, Gjokë Lleshaj, tregon se të gjithë janë tenderë të projekteve të infrastrukturës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme