Hibrid: Veriu, Asociacioni dhe vërshimet ishin temat mbi të cilat u keqinformua më së shumti

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në veri të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe raportet Kosovë-Serbi, vazhduan të jenë temat mbi të cilat u keqinformua edhe gjatë muajit janar.

Ndonëse ishin më të pakta në numër, krahasuar me muajt e kaluar, këto tema prapë vazhdojnë mbesin të renditura si të parat për sa i përket përdorimit për keqinformim.

Një temë e re që, për herë të parë u përdor si materie për keqinformim, ishte edhe ajo që kishte të bënte me vërshimet në Kosovë. Kjo dëshmon edhe njëherë që temat më aktuale, vazhdojnë të përdorën edhe për prodhim e shpërndarje të keqinformimit.

Dezinformata, si formë e keqinformimit, vazhdoi edhe këtë muaj të kryesojë listën, ndërsa portalet e dyshimta ishin ato që ishin gjeneratori kryesor i çrregullimit informativ.

Kurti dhe Qeveria e Kosovës, gjithashtu mbetën dy akterët më të përfolur në artikujt keqinformues.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin janar të vitit 2023 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endoëment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Matjet nga monitorimi për muajin janar 2023 kanë vënë në dukje se mediat kanë shpërndarë më së shumti artikuj keqinformues që kanë marrë vlerësime dezinformatë me 34%, e cila pasohet nga kategoria clickbait me 25% dhe publikime të vlerësuara si mashtrim me 14%. Publikimet e vlerësuara në kategorinë “Dezinformatë” kanë trajtuar më së shumti tema politike dhe të sigurisë, por edhe çështjet sociale, sportin dhe motin në Kosovë, duke vënë theksin tek marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, veriu i Kosovës dhe keqinformime lidhur me komunitetin serb në Kosovë, të publikuara kryesisht nga portale të dyshimta dhe shumë më pak nga media reale. Në kategorinë “Clickbait” janë shpërndarë artikuj keqinformues nga mediat e Kosovës, në fushën sociale dhe të kronikës së zezë, në të cilat trajtohen ndihmat sociale, mbështetja financiare, keqinformime për vdekje e vrasje të ndryshme, vërshimet në Kosovë etj. Ndërkaq, vlerësime në kategorinë “Mashtrim” kanë marrë publikimet në fushën sociale dhe të shpalljeve të ndryshme me qëllime mashtruese, të publikuara kryesisht nga portale të dyshimta.

Temat që më së shumti janë përdorur nga mediat për krijim dhe shpërndarje të përmbajtjeve keqinformuese janë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, veriu i Kosovës, vërshimet në Kosovë gjatë muajit janar, për disa vrasje që kanë ndodhur jashtë Kosovës me pretendimin se kishin ndodhur brenda vendit, komunat me shumicë serbe etj. Publikime të tilla janë shpërndarë nga portale të dyshimta dhe media vendore dhe rajonale, ku prej këtyre të fundit të gjitha kanë qenë në gjuhën serbe. Analizimi i të dhënave mbi baza javore tregon se, gjatë javës së parë të janarit, temat kryesore ishin futbollistët kosovarë, vdekje dhe vrasje me 13% secila prej tyre, pasuar nga raportet Kosovë-Serbi dhe veriu i Kosovës me 6% secila prej atyre po ashtu; në javën e dytë të janarit kanë mbizotëruar temat politike, si veriu i Kosovës me 11% dhe komunat me shumicë serbe 6%; gjatë javës së tretë të janarit kishte më së shumti publikime keqinformuese për raportet Kosovë-Serbi me 31% dhe për vërshimet në Kosovë me 19%; edhe në javën e fundit të muajit janar 2023, temat politike kanë zënë vendin kryesor, siç janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me 22%, veriu i Kosovës dhe anëtarësimi në BE me 7% secila prej tyre. Ndërkaq, numri më i madh i publikimeve janë shpërndarë në fushën sociale me 25%, e cila pasohet nga artikujt me përmbajtje politike prej 22% dhe fusha e sigurisë me 16%.

Në krahasim me muajt paraprak monitorues, gjatë muajit janar 2023, portalet e dyshimta kanë publikuar më së shumti artikuj keqinformues prej 52% kundrejt mediave reale prej 48%. Prej mediave reale, portalet vendore kanë publikuar më së shumti artikuj me 52%, pasuar nga mediat rajonale, ku të gjitha prej tyre janë serbe me 44% dhe nga kombinimi i mediave vendore / rajonale janë publikuar 4% e publikimeve. Mediat vendore kanë shpërndarë më së shumti artikuj që janë vlerësuar si clickbait për kronikën e zezë, çështje sociale, shëndetësi dhe për motin, derisa nuk kanë pas raportime në fushën politike. Ndërsa, mediat rajonale, gjegjësisht ato serbe, kanë krijuar përmbajtje keqinformuese rreth Kosovës në kategoritë e manipulimit të fakteve, përmbajtjes së paverifikuar, dezinformatës dhe teorisë konspirative për veriun e Kosovës, komunat me shumicë serbe dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Institucioni më i përfolur nga mediat, në raportimet e tyre keqinformuese gjatë muajit janar 2023, është Qeveria e Kosovës për çështje socio-ekonomike, e cila pasohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Prej personaliteteve, më i përfoluri edhe këtë muaj është kryeministri Albin Kurti për tema politike dhe të sigurisë, të shpërndara nga portale të dyshimta dhe mediat në gjuhën serbe.

Të ngjashme