Sulmuesi i Chelseat, Gonzalo Higuain, është tërhequr nga përfaqësuesja e Argjentinës, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme ndërkombëtare, që përfshin tri humbje në finale të mëdha. Higuain ka thënë se ky vendim “hyn menjëherë në fuqi” dhe e ka marrë për arsye personale.
“Cikli im me Argjentinën ka përfunduar dhe për këtë kam biseduar edhe me trajnerin Lionel Scaloni. Mendoj se ky është vendimi më i mirë i mundshëm, i cili ndoshta do të gëzojë edhe shumë tifozë. Dua t’i përkushtohem karrierës në klub dhe familjes sime, me të cilën dua të kaloj më shumë kohë”, është shprehur Higuain, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
“Tash, Argjentinën do ta përcjell nga jashtë dhe do të bëjë tifo për të”. Sulmuesi 31-vjeçar, gjatë afatit kalimtar të janarit u huazua te Chelsea edhe pse edicionin e nisi te Milani, gjithashtu i huazuar nga Juventusi, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2021. Higuain karrierën e ka nisur te River Plate, kurse në Evropë ka luajtur edhe te Real Madridi e Napoli.
Ai ka 75 paraqitje me Argjentinën dhe 31 gola të shënuar, të fundit në fitoren ndaj Nigerisë (2:1) në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Higuain vazhdimisht është përballur me kritika të shumta për paraqitjet e tij tek Argjentina. Ai pati humbur rastin më të mirë për Argjentinën në finalen e botërorit “Brazili 2014” kundër Gjermanisë, kur rezultati ishte baras (0:0). Në fund, Gjermania arriti të shpallet kampione pas golit të shënuar nga Mario Goetze në vazhdime.
Gjithashtu, një rast të tillë pati humbur edhe në finalen e Copa America në vitin 2015 kundër Kilit, si dhe penalltinë me të cilën konfirmoi disfatën e ekipit të tij. Higuain edhe një vit më vonë pati paraqitje të dobët në finalen e Copa America, të cilën sërish Argjentina e humbi nga Kili pas gjuajtjes së penalltive.