Hill: Më vjen keq që u bombardua Serbia

Prishtinë | 31 Dhj 2022 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se atij personalisht i vjen keq dhe nuk është i lumtur me bombardimet e NATO-s në vitin 1999 për ta çliruar Kosovën.

Në një intervistë me Telegrafin serb, Hill ka theksuar se marrëdhëniet e SHBA-së dhe Serbisë duhet të përqendrohen në disa nga vlerat dhe pikëpamjet e njëjta që kanë dhe jo në diçka që ka ndodhur 23 vjet më parë.

“Më duhet t’ju kujtoj se kjo ka ndodhur 23 vjet më parë. Është njësoj sikur në vitin 1968 të flisnim për ngjarjet e vitit 1945. Mua personalisht më vjen shumë keq që kjo ka ndodhur në historinë tonë dhe nuk jam i lumtur për këtë. Por në një moment njerëzit duhet të kthehen drejt së ardhmes, për të ecur përpara. Të përpiqesh të mësosh diçka nga e kaluara, por jo të jesh peng dhe skllav i së shkuarës. Erdha këtu pas 23 vitesh, me shpresën se mund të bëjmë shumë më tepër së bashku. Ne ndajmë disa nga vlerat dhe pikëpamjet e njëjta për botën dhe mendoj se duhet të përqendrohemi në këtë, dhe jo në diçka që ka ndodhur 23 vjet më parë”, ka thënë Hill.

Për bashkëpunimin ushtarak mes SHBA-së e Serbisë, Hill ka thënë se kjo është çështje që duhet të shtyhet nga të dyja palët.

“E kam përsëritur shumë herë se ne e vlerësojmë Serbinë si mike dhe si partnere dhe varësisht se çfarë vendos Serbia në të ardhmen do ta vlerësonim edhe si aleate, sepse dikur kemi qenë aleate. Unë do të doja të shihja më shumë bashkëpunim ushtarak, por ne nuk mund ta shtyjmë vetëm nga ana jonë. Duhet të jemi të sigurt se edhe Serbia e dëshiron”, ka thënë ambasadori amerikan.

Të ngjashme