Në nëntor të vitit 1972, një profesor i stërlumtur nga rezultatet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i thotë kamerierit: “Një kafè dhe një gotë uaj, ju lutem!”.
Meqenëse librin mbi Hiperkorreksionin në rastin e shqipes planifikoja ta nisja me këtë barcoletë, po merresha me dilemat nëse kjo ishte një ndodhi e vërtetë apo vetëm një barcoletë dashakeqëse për standardin dhe pranimin e tij të verbër në Kosovë. Kur, ja, një titull, dy tituj, disa tituj vërshuan për ditë të tëra se si një kandidat për zgjedhjet komunale të Prishtina, paska vendosë me bujtë në shtëpitë e banesat e qytetarëve të Prishtinës, në kërkim të votës a përcjelljes së vizionit të tij për kryeqytetin: “Kandidati Ismaili “buan” në Kodrën e diellit”; “Kandidati Ismaili shkon “për të buajtur” në Kodrën e Trimave”; “Kandidati Ismaili shkon që të buajë” në Ulpianë”; “Një kënd argëtimi i ngjyrosur, rezultat i “buajtjes” së Ismailit në…”.
Kështu, përdorimi i trajtës “buan” në vend të “bun”, nuk dallon nga përdorimi i “uaj”në vend të “ujë” dhe m’u dogj barcoleta (barcoletë i thënçin). Barcoletat e linguistëve janë gati qesharake, jo se të bëjnë për të qeshur, përkundrazi. Megjithatë, kjo e ka domethënien e vet dhe përsëritet në variante të ndryshme, deri në ditët kur nisa me shkru këtë tekst, kur në një mbledhje, personi që e udhëhiqet mbledhjen tha: “Më falni që e shtymë mbledhjen për një ditë, por na u desht ta shtynim për shkak të një konferenceje”.
E, studentëve shpesh u kemi folur për hiperkorreksionin, sipas Labovit, por ishte pak e vështirë me ua shpjegu në një mënyrë lehtë të kuptueshme. “A keni pa kur dikush i jep zor fort për me hypë në kali dhe këcen përtej kalit, që do me thënë, prapë s’është në kali”, – kjo metaforë duket se ka funksionuar dhe studentët e “kanë marrë” e s’e “kanë marrur” vesh se për çka bëhet fjalë, pra, kanë dalë (jo dalur) huq.
Pastaj, një profesor thotë ë kemi sollur”, një moderator televizioni thotë “nuk kam hoqur dorë”, deputeti thotë “do t’ia dhëmë votën”… Nëse mendoni se një bujk ka gabu kur ka thënë “e kam mbjellë arën”, apo “e kam vjelë rrushin”, dijeni se po nguteni dhe po tuteni.
Kështu, një “ur” që i shtohet pjesores (marrur, përcjellur, dalur apo edhe dhënur e japur), ashtu siç një “ë”në vend të “a”-së hundore (do t’i dhëmë mbështetje këtij propozimi) nuk të sigurojnë përdorim të drejtë të variantit standard – janë shfaqje e inferioritetit gjuhësor të atyre që nuk arrijnë ta nxënë këtë variant dhe aq shumë e duan.
Morali i rrëfimit:
Kur doni me hipë në kalë, mos i jepni fort zor se e kapërceni kalin dhe prapë në tokë do të jeni, veçse në anën e kundërt.