Pas heqjes së barrikadës së fundit të vendosur në Mitrovicën e veriut, të shtunën mbrëmë te Shkolla Teknike, të dielën është liruar edhe pengesa e fundit, nga banorët shqiptarë në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve”.
Kështu ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke shtuar se gjendja në këtë qytet po shkon drejt normalizimit.
Ai ka thënë se në qytetin e Mitrovicës nuk ka barrikada dhe heqja e këtyre pengesave është në kuadër të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel.
“Sot po hiqet edhe kjo pjesa që është quajtur sheshi ‘Adem Jashari’ dhe tashmë çdo qytetar mund të lëvizë lirshëm në Mitrovicë. Sigurisht, që po normalizohet situata, pasi çdo barrikadë, sjell urrejtje, dhe tashmë i kemi të hequra ato”.
“Janë duke u hequr edhe strukturat, të cilat kanë qenë duke i ruajtur këto barrikada. Por, ne duhet punuar edhe më shumë ende, për t’i kthyer shqiptarët në pjesën veriore por edhe serbët në pjesën e jugut, në mënyrë që të kemi një qytet të përbashkët të të gjithë të qytetarëve, që të kemi vetëm një qytet”, ka deklaruar Bahtiri.
Në këtë hapësirë ishte vendosur një cilindër betoni me diametër 1.5 metra, në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve” nga banorët shqiptarë, duke e emërtuar atë Sheshi “Adem Jashari”.
Vendosja e cilindrit të betonit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ishte, siç thuhej, një kundërpërgjigje e banorëve shqiptarë ndaj një vendimi të organeve komunale të Mitrovicës së veriut për ndërtimin e sheshit “Princ Lazari”, në vitin 2014.
Heqja e barrikadave është një zhvillim pozitiv, e sidomos pasi është bërë me vetë iniciativën e qytetarëve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri. Ajo ka theksuar se me këto veprime, po zbatohet marrëveshja e Brukselit.
“Heqja e barrikadës nga Ura e Ibrit, më 14 gusht, është një veprim që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për lirimin e urës. Por, që në një marrëveshje që kemi pasur që nga viti 2014, kur është vendosur kjo barrikadë e quajtur ‘Parku i Paqes’, ka qenë një dakordim që edhe barrikadat dhe pengesat tjera të hiqen”, ka shpjeguar Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka shtuar se me heqjen e barrikadave mund të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve, të ketë një klimë të mirë të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Situata në këtë qytetet çdo ditë po normalizohet, ka thënë kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri. Sipas tij, tashmë ka mbetur edhe kthimi i shqiptarëve në pjesën veriore.
“Çdo herë dhe çdo ditë tensionet janë duke u zvogëluar, çdo ditë po shihet progres. Tani na ka mbetur kthimi i shqiptarëve në pjesën e veriut. Të them të vërtetën, Mitrovica është një pjesë e Kosovës, që ka qenë e padefinuar në aspektin e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Dhe, tashmë është duke u rritur ai progres. Tash duhet të kthehen edhe shqiptarët në pjesën veriore, dhe të merremi me punësimin e tyre, sepse kanë qenë të anashkaluar prej secilit institucion të Kosovës”, është shprehur Bahtiri.
Ura kryesore mbi lumin Ibër që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, do të jetë e hapur për qarkullim të plotë më 20 janar të vitit 2017.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë qenë të gatshme që të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, përshirë edhe lëvizjen e lirë. Barrikadat, nga përfaqësues të shoqërisë civile, janë parë si problem politik, duke e sjell një paqe të brishtë në qytetin e Mitrovicës.