Barazimi me shije të fitores ka shënuar fillimin e epokës së re për futbollin e Kosovës. Ndeshja e parë zyrtare e Përfaqësueses së Kosovës në futboll u mbyll me rezultatin 1:1.
Ndeshja historike për Kosovën u luajt të hënën mbrëma në Turku të Finlandës. Në një ndeshje që e dominoi, Kosova ia doli të marrë vetëm një pikë ndaj Finlandës vendase, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndeshja ishte e para e eliminatoreve për kampionatin botëror “Rusia 2018”. Kosova në muajin maj u pranua në UEFA e FIFA dhe ndeshja e së hënës shënon fillimin e epokës së re për futbollin kosovar. Fillimi u vlerësua shumë premtues.
Kosova dominoi në fushë, pati më shumë raste shënimi, por ia doli të realizojë vetëm një. Vetëm një rast e realizoi edhe Finlanda, që për dallim nga Kosova ka përvojë shumë të gjatë në eliminatore.
Golin historik për Kosovën e shënoi mesfushori Valon Berisha. Lojtari i Salzburgut javë më parë vendosi të lërë Përfaqësuesen e Norvegjisë, ku vlerësohej yll, dhe të luajë për Kosovën. Ai mori përgjegjësinë të gjuajë penalltinë që e siguroi Bernard Berisha në minutën e 59-të.
Në penallti Valoni u tregua lojtar i pjekur. Goditi saktë, duke dërguar topin në kënd, në anën e majtë të portierit të Finlandës (60′). E festuan gjatë lojtarët e Kosovës golin e Berishës, që ishte gol i barazimit. Ishte gol për rezultatin përfundimtar, 1:1. Festë të madhe pati edhe pas ndeshjes, ndërsa të gjithë janë shprehur të kënaqur me pikën e fituar.