Prishtinë, 29 prill – Një grua e re hebraike nis udhëtimin drejt një fshati të largët shqiptar, ku zbulon të vërtetën për shpëtimin e familjes së saj nga ata njerëz që rrezikojnë gjithçka për t’ua siguruar strehimin. Fill pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u pushtua nga regjimi shtypës komunist. Krejt lidhjet me botën e jashtme u ndërprenë dhe ata shqiptarë e hebrenj që për vite me radhë kishin jetuar si familje, humbën krejtësisht kontaktin. Pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1990, familjarët e dikurshëm filluan përsëri të rivinin kontaktet dhe mes vete shkëmbyen tregime të çmuara, pothuajse të harruara.
Ky është njëri prej rrëfimeve në të cilin bazohet shfaqja kosovaro-amerikane, “Strehim” e dhënë premierë të shtunën mbrëma në New York. Produksioni i përbashkët teatror midis teatrit “Oda” të Prishtinës dhe “Blessed Unrest” të New Yorkut nëpërmjet këtij tregimi, zbërthen historinë jo të njohur nga të gjithë për atë se si Shqipëria dhe shqiptarët jashtë kufijve të saj u shndërruan në shpëtimtarë të hebrenjve. Shteti shqiptar kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, dhe kjo nuk është veç e dhënë statistikore.
Shfaqja nën regji të përbashkët të Florent Mehmetit dhe regjisores Jessica Burr, që zbërthen njerëzoren e kodin e besës që lidh mikpritjen shqiptare që ka mundësuar strehimin e hebrenjve në mesin e tyre, është dhënë në ”Baruch Performing Arts Center” në sallën e mbushur plot. Sipas pjesëtarëve të ekipit, është mirëpritur nga publiku.
Kastën e aktorëve kosovarë të “Strehimit” (Refuge) e përbëjnë aktorët Ilire Vinca, Daniela Markaj dhe Eshref Durmishi, ndërsa ajo amerikane përbëhet nga Nancy McArthur, Becca Shneider dhe Perri Yaniv.KohaNet
Aktorja Daniela Markaj, që në shfaqje në rolin bazë portretizon Tanën, një vajzë shqiptare, ka thënë se shfaqja është pritur shumë mirë duke u bazuar në duartrokitjet dhe komentet e njerëzve pas shfaqjes.
Sipas saj, për tri net rresht, edhe në parapremierë, edhe në premierë, salla që ka kapacitet prej 200 ulësesh, ka qenë e mbushur plot.