Hitzfeld mbron festën me shqiponjë nga Xhaka dhe Shaqiri

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Gazeta më e madhe zvicerane “Blick” ka intervistuar të dy trajnerët njëherësh, trajnerin e Bayern Mynihut, Niko Kovaç dhe ish-trajnerin e kombëtares zvicerane, Ottmar Hitzfeld.

Ata kanë folur edhe për nacionalizmin në futboll dhe Hitzfeld ka folur edhe për festimin me shqiponjë dykrenore të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kundër Serbisë.

“Golat ishin një goditje çlirimi, lojtarët nuk e tejkaluan gjatë festimit – për këtë nuk duhet të diskutohet shumë. Ishte një ventil, që ata e hapën. Shoh shpesh ngjashmëri edhe në rastet e Gjermanisë”, tha Hitzfeld, i cili vetë ka qenë në stadium dhe ka përjetuar fishkëllimat dhe “provokimet që i kanë bërë serbët Shaqirit dhe Xhakës.”

Hitzfeld në fund ka folur edhe për dy lojtarët turko-gjermanë Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan, të cilët u fotografuan me Erdoganin, shkruan Albinfo. Sipas trajnerit veteran, “lojtarët në një moment nuk janë të vetëdijshëm se çfarë pasojash mund të sjellën, por kur presidenti i vendit tënd të pyet nëse mund të bëjmë një fotografi, atëherë në këtë moment nuk mund të thuash jo.”

Kovaç nuk ka dashur të komentojë këtë rast as në Gjermani dhe as në Zvicër. Ekipi i tij i Bayernit po kalon momente të vështira në Bundesligë.

Të ngjashme