Hodaj priti ambasadorin britanik, diskutojnë për fuqizimin e mëtejshëm të IPK-së

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 15:28 | Nga Ekonomia Online


Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj, ka pritur sot në zyrat e institucionit ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit të IPK-së, Hodaj e ka njoftuar ambasadorin britanik me angazhimet, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Inspektorati Policor.

“Ambasadori Hargreaves falënderoi Kryeshefin Hodaj për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të IPK-së në mbikëqyrjen policore dhe trajtimin profesional të ankesave të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe IPK-së.

“Kryeshefi dhe Ambasadori u dakorduan për mundësitë për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe IPK-së, në fuqizimin dhe profesionalizimin e mëtejshëm të IPK-së”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Të ngjashme