Holanda dhe Danimarka i kanë premtuar Ukrainës se do t’i japin avionë luftarakë F-16, pasi të plotësohen kushtet për transferimin e tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri holandez, Mark Rutte, pas vizitës që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy bëri në Holandë.
Rutte tha se Holanda ka 42 F-16 në dispozicion gjithsej, por është shumë herët të thuhet nëse do të dhurohen të gjithë.
“Sot ne mund të njoftojmë se Holanda dhe Danimarka angazhohen për transferimin e avionëve F-16 në Ukrainë dhe Forcat Ajrore të Ukrainës”, tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me Zelenskyn.
Zelenskiy, i cili e quajti marrëveshjen një “përparim”, tha se numri i saktë i avionëve do të diskutohet “pak më vonë”.
Zelenskiy mbërriti në Holandë këtë të diel dhe pritet të vazhdojë për në Danimarkë më vonë gjatë ditës.
Ministria e Jashtme daneze konfirmoi gjithashtu angazhimin e saj për dërgimin e F-16 në një deklaratë të dielën.
Zelenskiy tha se avionët do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe do të ndihmonin kundërsulmimin e saj.
“Aeroplanët mund ta përshpejtojnë këtë proces. Po flasim për mbrojtjen ajrore, sepse kemi dimrin përpara dhe e kuptojmë më shumë se kushdo tjetër në botë se si është dimri pa energji elektrike”, tha Zelensky, shkruan Reutters, transmeton Klankosova.tv.
Rutte tha se ishte e qartë se F-16 nuk do të transferoheshin menjëherë, pasi do të duhet kohë për të trajnuar siç duhet pilotët ukrainas dhe për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për përdorimin e avionëve.
“Stërvitja ushtarake do të fillojë në një të ardhme shumë të afërt, dhe më pas do të duhet sigurisht pak kohë që avionët të hyjnë në funksion me pilotë të trajnuar mirë, por ne do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Rutte