Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në inaugurimin e punimeve – zgjerimi i rrugës rajonale Landovicë – Arbanë, R 107, segmenti “Hyrja në Qytetin e Prizrenit”, me gjatësi prej 3 kilometrash, projekt ky i financuar së bashku me BERZH-in.
Përveç tij në këtë ngjarje morën pjesë edhe zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj dhe zëvendëskryeministren Albulena Balaj-Halimaj, ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe shefin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë ( BERZH ) Neil Taylor.
Në fjalën e tij, kryeministri Hoti tha se është vërtet kënaqësi që sot pas një periudhe prej katër vjetësh që po bëhen po nisin punimet, dhe se është i bindur se ky do të jetë vetëm fillimi i kësaj rruge, që duhet të shkojë deri në Gjakovë e të përfundojë mandej në Pejë dhe në Istog, për ta lidhur krejt këtë regjion me autostradën dhe me Durrësin, ku mbi gjysmë milioni banorë do të kenë qasje në këtë rrugë për t’u lidhur me autostradë.
“Shfrytëzoj rastin që ta falënderoj BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme që kemi pas, dhe besoj që me ministrin e ri, që është shumë dinamik në të gjitha këto projekte për t’i shtyrë përpara kaq shpejt dhe që brenda tre muajsh ta zhvillojë punën në shumë projekte. Jam me plot shpresë që do t’i çojmë përpara shpejt”, theksoi kryeministri Hoti, i cili më tej shtoi se, për ne BERZH mbetet partner shumë i rëndësishëm i financimit të projekteve infrastrukturore, por edhe mbështetjes së sektorit privat.
Kryeministri Hoti tha se është i bindur që kjo rrugë edhe me vazhdimin e saj deri në Gjakovë, do të ndihmojë shumë në zhvillimin e biznesit krah kësaj rruge edhe në zvogëlimin e kostove të transportit për ardhje në Prizren, si qendër e jona, e krejt këtij regjioni dhe për qasje në autostradë, për në Shqipëri dhe vende të tjera.