Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur të porositur biografinë e presidentit Hashim Thaçi e cila u publikua muajin e kaluar.
Hoti vijon duke thënë se presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova kishte qenë prijësi i parë që kishte krijuar aleanca me demokracitë më të fuqishme botërore, dhe i vetmi që kishte guxuar t’i prijë popullit kur Serbia kishte planifikuar shfarosjen e popujve të panënshtruar.
Ai po ashtu tha se janë të kota përpjekjet që, sipas tij, përmes biografive të porositura të minimizohet roli i Rugovës dhe i rezistencës së tij paqësore.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Hotit:
Faktet historike nuk ndryshohen me biografi të porositura. Të qenit prijës largpamës është një dhunti, e kultivuar gjithë jetën, e bazuar para se gjithash në parime të larta etike. I tillë ishte prijësi i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë, dr.Ibrahim Rugova.
Koha kur Rugova doli në ballë të popullit të Kosovës ishte ogurzezë për popujt e ish-Jugosllavisë. Millosheviqi dhe Akademia Serbe e Shkencave kishin përpiluar planin për Serbinë e Madhe dhe shfarosjen e popujve që nuk nënshtroheshin. Atëbotë Rugova ishte i vetmi që pati guximin t’i prijë popullit.
Në kohën kur filluan luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, Rugova zgjodhi rezistencën paqësore derisa të forcoheshim ushtarakisht. Përmes kësaj rezistence e sensibilizoi arenën ndërkombëtare për padrejtësitë që i bëheshin popullit të Kosovës.
Rugova është i pari prijës që krijoi aleanca me demokracitë më të fuqishme botërore. “Kam pasur nderë ta mbështesë luftën e tij dhe të popullit të Kosovës për paqe dhe liri,” kishte deklaruar Presidenti Clinton. Të tjerë prijës botërorë e quanin “Gandi i Ballkanit”, që me rezistencën aktive paqësore dhe luftën çlirimtare solli Konferencën e Rambujesë, bombardimet e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përpjekjet për të minimizuar rolin e Rugovës dhe rezistencës paqësore përmes biografive të porositura janë të kota. Në të gjallë të tij, populli i Kosovës i dha përkrahje masive, të papërsëritshme deri më tani, politikës rugoviane në të gjitha zgjedhjet, para dhe pas luftës. Miqësitë e krijuara nga Rugova sot kujdesen për të konsoliduar shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Rugova nuk bënte politikë as nga Shqipëria e as nga Zvicra. Ai përjetonte thundrën e okupimit bashkë me popullin e tij.
Faktet historike nuk blihen me para. Rugova nuk ka paguar asnjëherë miliona të taksapaguesve për përmirësimin e imazhit të tij, sepse ai nuk kishte nevojë si burrështetas paqësor që ishte, vizionar dhe i pathyeshëm.
Përpjeka për të hedhur baltë mbi rolin e rezistencën paqësore rugoviane për shtetësinë e Kosovës është e kotë. Kjo mund të jetë një përpjekje vetëm e atyre që asnjëherë nuk e kaluan hijen e Rugovës. Rugova mbetet figura më e ndritur e përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai lirshëm mund të krahasohet me figurat e rilindjes kombëtare, të cilat i kishte studiuar me pasion dhe shembullin e të cilëve e ndiqte.