Hoti kërkon reagim institucional pas dëmeve nga stuhia: Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete pas dëmeve të shkaktuara nga stuhia me erëra të forta dhe reshje të dendura në pjesë të ndryshme të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoti tha se nga stuhia janë dëmtuar biznese, automjete të qytetarëve, prona private dhe infrastruktura, ndërsa sipas tij dëmet më të mëdha i ka pësuar sektori i bujqësisë.

“Stuhia me erëra të forta dhe reshje të dendura ka shkaktuar dëme të mëdha në shumë pjesë të vendit. Janë dëmtuar biznese, vetura të qytetarëve, prona private dhe infrastruktura, ndërsa goditjen më të rëndë e ka pësuar sektori i bujqësisë, ku për shumë fermerë është shkatërruar mundi dhe investimi i një viti të tërë.”

Hoti ka thënë se institucionet duhet të dalin menjëherë në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar mbështetje për të prekurit.

“Në këto momente nuk mjaftojnë vetëm deklaratat. Është detyrë e institucioneve që të dalin menjëherë në terren, të evidentojnë dëmet dhe të ndërmarrin masa konkrete për kompensimin e familjeve, bizneseve dhe fermerëve të prekur.”

Sipas tij, asnjë qytetar nuk duhet të përballet i vetëm me pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.

“Asnjë qytetar nuk duhet të mbetet vetëm përballë pasojave të kësaj fatkeqësie. Qeveria duhet të mobilizojë të gjitha mekanizmat në dispozicion për t’u dalë në ndihmë sa më shpejt të gjithë të dëmtuarve.”

Hoti ka theksuar se ndihma ndaj qytetarëve në raste të tilla është përgjegjësi institucionale.

“Mbështetja në këto momente është jo vetëm një detyrim institucional, por edhe një përgjegjësi njerëzore.”

Ai ka publikuar gjithashtu fotografi nga raportime të ndryshme për dëmet e shkaktuara nga stuhia në gjithë vendin.

Të ngjashme