Hoti konsultohet me bizneset për Pakon e Dytë Fiskale

Prishtinë | 17 Dhj 2016 | 11:54 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krerët e Ministrisë së Financave, Administratë Tatimore, Doganës dhe Odës Ekonomike zhvilluan sot konsultimin e parë publik lidhur me Pakon e Dytë Fiskale për vitin 2017. Me këtë rast, u theksua se krijimi dhe promovimi i politikave më të favorshme fiskale është parakusht për zhvillimin e bizneseve dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Në takim merrnin pjesë dhe përfaqësues të bizneseve, anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Ministri Avdullah Hoti tha se kjo iniciativë e ndërmarrë nga Ministria e Financave vjen si rezultat i punës drejt konceptimit të përmbajtjes së pakos së re fiskale duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e parashtruara nga bizneset.

Gjatë prezantimit të nismës për ndryshimet fiskale, nismë e cila është miratuar gjatë kësaj jave në mbledhjen e Qeverisë, Hoti u shpreh se Pakoja e re fiskale është dizajnuar me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes, duke i paraprirë në këtë mënyrë një rritjeje më të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies për qytetarët e vendit.

“Më specifikisht, sipas analizave dhe vlerësimeve, kjo pako do të përmbajë, lirim nga tatimi doganor, për produktet që konsiderohen si lëndë e parë për procesin e prodhimit”.

Hoti, më tej, shtoi se kjo pako do të përmbajë shtatë elemente/masa bazë të cilat janë, Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë për lirim nga tatimi doganor; heqja e normës së akcizës në mazut; ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 përqind apo normës së reduktuar 8 përqind të TVSH-së; Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen (njihen) humbjet nga prishja; avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj si dhe Krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.

Ministri Hoti u zotua para përfaqësuesve të bizneseve se “këto kërkesa të reja të cilat po i dëgjojmë sot nga ju, ne do të mundohemi që t’i përfshijmë po në këtë pako fiskale e cila do të hyjë në fuqi gjatë vitit të ardhshëm”.

Ndërsa, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se po e mbyllin këtë vit me një sukses shumë të madh sa i përket ardhjes në ndihmë të bizneseve. “Kjo nuk do të ishte e mundur pa pa ndihmën e ministrit të Financave, Avdullah Hoti, i cili ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, dhe kjo po shihet edhe sot me prezantimin e pakos së re fiskale e cila do të jetë në funksion të zhvillimit të bizneseve, hapjes së vendeve të reja të punës por edhe në ngritjen e rejtingut të Republikës së Kosovës në të bërit biznes”.

“Po ashtu edhe zotimi i sotëm i ministrit Hoti tregon edhe njëherë përkushtimin e Ministrit për të qenë sa më afër Biznesit, dhe për këtë në emrin e juaj dhe timin personal e falënderoj shumë”, tha Gërxhaliu.

mf_04

mf_02

mf_01

Të ngjashme