Ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se marrëveshja e Washingtonit është shumë e rëndësishme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kritikuar Qeverinë për kundërshtimin e marrëveshjes duke kërkuar nga Qeveria që të deklarohet nëse kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e Kosovës.
Hoti konfirmoi se do të kërkojnë debat parlamentar lidhur me veprimet e Qeverisë.
“Kjo marrëveshje është kritikuar nga të gjitha partitë opozitare atëherë me argumente të paqëndrueshme, me motive politike jo fisnike thjesht për të rritur militantizmin e verbër politik të përkrahësve të tyre. Një pjesë e asaj opozite tash është në Qeveri dhe duke qene në Qeveri ne presim që të tregohet maturi më e madhe politike karshi çështjeve të rëndësisë shtetërore”.
“Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ka qenë absurde atëherë të deklarohet se kjo marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë cenon sovranitetin e Kosovës. Unë pres deklarim të qartë nga Qeveria në pyetjen se a e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fezibilitetit për Liqenin e Ujmanit e përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës”.
“E udhës do të ishte të kërkohej falje, ju pata thënë atëherë të mos nguten por edhe tash ju them. Administrata e presidentit amerikan e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje. Këta që janë në qeveri i ftoj që të kujdesen për realizimin e projekteve të kësaj marrëveshje, ndryshe ju garantoj se nuk e kanë gjatë në qeveri sikurse nuk e kanë pasur vitin e kaluar”.