Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se thirrjet për unitet përballë Serbisë dhe akuzat se opozita po e pengon këtë unitet janë të pa sinqerta.
“Ftesat në stilin “të ulemi bashkë dhe të krijojmë një konsensus që të përballemi me Serbinë” janë vetëm përpjekje për ta mbrojtur ‘status quon’ ku pakica jo legjitime është në pushtet dhe institucionet janë jo funksionale”, ka shkruar Hoti në Facebook, përcjell Klan Kosova.
“Legjitimiteti demokratik i bartësve të institucioneve në këto rrethana është shumë i rëndësishëm. Legjitimiteti nuk mund të burojë nga thirrje të tilla jo serioze, por nga vullneti i qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira. Vetëm zgjedhjet e lira prodhojnë qeverisjen legjitime dhe institucione funksionale”.
“LDK-ja është e gatshme t’i prijë arritjes së konsensusit për dialogun. Le ta nisim këtë konsensus me miratimin e rezolutës në Kuvendin e Kosovës të kërkuar nga opozita, ku thuhet qartë e thjeshtë se “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.
Hoti ka thënë që të vazhdohet pastaj që me këtë përpjekjen për konsensus për organizimin e zgjedhjeve të lira për të nxjerrë institucione legjitime.