Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hotin, ka vazhduar sot fushatën në Gjakovë, pasi më herët gjatë ditës ka vizituar Ferizajn, Vitinë e Prizrenin.
Duke folur para përkrahëseve të partisë e qytetarë të tjerë të mbledhur në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, ka thënë se për dy vjet e gjysmë në qeveri kanë punuar shumë dhe se kanë qenë të pakompromis ndaj korrupsionit.
“Programin tonë po e shndërrojmë në listë të detyrave. Ne e mbajmë fjalën. Ne ju garantojmë për ato që i themi. Puna e parë që duhet të bëjmë është që të shkojmë të secili qytetar t’ia tregojmë programin. Ne e qojmë Kosovën përpara, ne e bëjmë ushtrinë, ne e bëjmë liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Ai ka prezantuar dy pikat për rininë në programin e LDK-së me partnerët.
“E para do të garantojmë një vit punë pas diplomimit në universitet. Kjo do të jetë punë praktike në institucione dhe e dyta Fondi i Ndërmarrësisë që do të përkrahë çdo ide për të hapur biznese”.
Ministri në Qeverinë Mustafa, e cila ra pasi nuk mundi të kalojë çështjen e demarkacionit, u zotua se Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja gjatë mandatit të ardhshëm do të merret edhe me “temat e vështira”.
“Unë ju garantoj që kemi me u marr me temat më të vështira. Parlamenti s’ka arritur t’i prekë disa tema të mëdha. Ne jemi gjenerata e Republikës dhe t’i tregojmë secilit qytetar se çfarë përfaqësojmë ne”, ka thënë Hoti.
Ndërsa duke folur për transformimin e ushtrisë ka thënë se ushtria e Kosovës do të bëhet shumë shpejt dhe në partneritet me NATO. “Ju garantoj se qeverisja e ardhshme do ta bëjë ushtrinë dhe liberalizimin e vizave”.
Kusari-Lila: Për t’u përmbyllur integriteti duhet të votohet koalicioni i shpresës
Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se e di se nëpër çfarë vështirësish ka kaluar Qeveria Mustafa.
“Ne kemi rini që nuk e meriton izolimin. Rinia jonë ka ato aftësi, që nëse i ofrohen kushtet, konkurron kudo. Për t’u përmbyllur integriteti duhet të votohet koalicioni i shpresës dhe atëherë ne do ta shohim sesi vjen në shprehje energjia juaj”, ka thënë ajo.
Kryetari i AKR-së në Gjakovë, Luan Shllaku, ka thënë se rinia e Kosovës është aseti kryesor e vendit tonë.
“Programi i këtij koalicioni është që t’i japë rinisë vendin aty ku e meriton. Fillimi i Ri me njerëz të vjetër si mundet me qenë Fillim i Ri”, ka thënë Shllaku, duke ironizuar me sloganin e konkurrentëve.