Në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për pakon fiskale 2.0 Ministria e Financave ka organizuar takim diskutimi me Këshillin e Investitorëve Evropianë (KIE), në të cilin u theksua se krijimi dhe promovimi i politikave më të favorshme fiskale është parakusht për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë.
Ministri Hoti para tyre ka prezantuar shtatë masat e reja të Pakos Fiskale 2.0 që i ka aprovuar Qeveria në dhjetorin e vitit të kaluar dhe njëkohësisht të marrë sugjerimet shtesë për të plotësuar këto masa.
“Masa e parë e kësaj pakoje është zgjerimi i listës, e cila ka 47 milionë euro më pak të hyra buxhetore, por që ka një rritje prej 20% të imputit të lëndës së parë. Pastaj si masë e dytë është heqja e mazutit e cila përdoret nga prodhuesit vendor, masa e tretë është ndryshimi dhe plotësimi i normës së TVSh-së nga 0-8%. Pastaj është edhe udhëzimi administrativ për pushimet tatimore, si masë e pestë është edhe një pikë që është kërkuar nga oda ekonomike e Kosovës e cila është vendosja e banderolës në produktet e miellit për luftimin e informalitetit. Pika e gjashtë është humbja e peshës së produkteve gjatë kohës së transporti dhe pika e shtatë të cilën e kemi parapa është krijimi i kodeve të reja doganore për produktet kosovare”,ka thënë Hoti.
Shpend Balija, drejtor ekzekutiv Këshillit të Investitorëve Evropianë ka thënë se janë në pajtim të plotë me këto masa dhe se është e rëndësishme për KIE-në që të ketë qasje të drejtpërdrejt me Ministrinë e Financave.
“Ne jemi të kënaqur që dëgjojmë gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të rregulluar kompanitë e investimeve, ne po ashtu kërkojmë që të bëni më shumë rreth punës së Bankës Qendrore në mënyrë që ky sektorë të jetë i kontrolluar dhe kompanitë që të mos ndëshkohen në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Balija.
Paulos Garinis përfaqësues i naftëtarëve në Bordin e drejtorëve në KIE kërkoi të dijë se cilat kushte janë të konkurrueshme në tregun e naftës dhe se tregu kosovar a i siguron çështjet kryesore të konkurueshmërisë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se së bashku me MF-në dhe qeverinë e vendit janë duke punuar për ndryshimet e klimës së të bërit biznes në Kosovë. Sipas saj ky ndryshim i klimës do jetë në favor të investitorëve të cilët shpreson se do jenë të shumtë.
“Kjo nismë për pakon e re fiskale është edhe një veprim i radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e kushteve për komunitetin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë”, shtoi ministrja Bajrami.