Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka vizituar qendrën “Bonevet” në Gjakovë, qendër kjo e cila është hapësirë krijuese për të rinjtë e të gjitha moshave më mënyrë që këta të fundit të shprehin aftësitë e tyre përmes shkencës dhe teknologjisë.
Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti ka thënë se sot bashkë me partnerët e koalicionit kanë zgjedhur këtë ditë që t’ia kushtojnë rinisë, duke shtuar se pret që kjo qendër të zhvillohet edhe në të gjitha komunat tjera të vendit.
“Është kënaqësi është shumë motivuese me pa kreativitetin e fëmijëve, të rinjve për punën që bëjnë. Unë besojë se kjo qendër do të avancohet në një shkollë profesionale dhe si projekt do të replikohet në të gjitha komunat e Kosovës pa përjashtim. Unë garantoj që do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme për talentet e rijnë që dalin prej kësaj qendre”, ka thënë ai.
Kurse Arbër Lleshi drejtor i Qendrës “Bonevet”, ka thënë se kjo qendër është hapësirë krijuese e cila u jep hapësirë të rinjve që përmes shkencës, teknologjisë dhe artit që të gjejnë talentin e tyre por njëkohësisht të zhvillojnë edhe aftësi të reja.
“Ideja është këtu që fëmijët prej moshës 6 vjeçare por edhe të rriturit me ardhur me punë edhe përmes teknologjisë, pajisjeve të ndryshme me marr vesh ku kanë talente dhe me i zhvillu aftësi të reja jo vetëm që ata me qenë nxënës më të mirë, por edhe me qenë më lehtë më të depërtueshëm në tregun e punës dhe me gjet punë lehtë”, ka thënë ai.
E kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se iniciativa e kësaj qendre është kreative dhe domethënëse për orientimin e të rinjve në karrierë.
“Jam e lumtur që Kuvendi Komunal ka arritur ta mbështes që nga viti 2014 këtë iniciativë dhe natyrisht mirëpresim mundësinë që iniciativa të tilla të jenë në të gjithë Kosovën. Kjo çka ndodhë këtu ka të bëjë me atë më shumë se sa një investim i thjeshtë për edukim kjo ka të bëjë me një investim të përgjithshëm mbi mundësitë që ekzistojnë sot në botë dhe mbi të gjitha e ofron edhe rininë e Kosovës me rininë e vendeve të zhvilluara”, ka thënë Kusari-Lila.
Qendra “Bonevet” e këtij lloji është e vetmja në Ballkan.