Hoti në Kaçanik: Vetëm dy ditë na ndajnë nga fitorja e madhe

Kaçanik | 08 Qer 2017 | 14:34 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë tubimit në Kaçanik është shprehur i bindur se ai do të jetë kryeministri i qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Ai tha se janë vetëm dy ditë që këtë koalicion e ndajnë nga fitorja e madhe, raporton Ekonomia Online.

“Për mua ishte nderë i veçantë në një maratonë në të gjitha komunat e Kosovës, ku entuziazmi është i madh, dhe neve na ndajnë vetëm dy ditë nga fitorja e madhe. Unë nuk dyshoj në fitore, por neve na duhet një fitore shumë e thellë”, tha Hoti.

“Ne kemi një koalicion të jashtëzakonshëm me njerëz me duar të pastra me një përvojë të jashtëzakonshme. Mbështetja që kemi marrë nga rina, bujqit, bizneset dhe nga të gjithë qytetarët e dëshmon se ne do të jemi fitues”, ka shtuar Hoti.

Hoti para qytetarëve të Kaçanikut ka prezantuar siç e quan ai kontratën me qytetarët e Kosovës, programin me të cilin ai thotë se do të qeverisë Kosovën.

“Ne jemi të vetmit që garantojmë buxhet 3 miliardë euro. Rritjen ekonomike deri 7 për qind, punësim të mbi 25 mijë personave çdo vit, punësimin e çdo të riu që kryen studimet, financim të çdo ideje të të rinjve për biznes, pagesë të qind për qindtë të pushimit të lehonisë të nënave të punësuara për 12 muaj”, ka thënë Hoti.

Kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj, njëherit nënkryetar i partisë, Labinot Tahiri, në fjalën e tij para qytetarëve të Kaçanikut ka thënë se prioritet i programit qeverisës të koalicionit do të jetë krijimi i mundësive për punësim.

“Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tashmë është një punëdhënës i mijëra qytetarëve të Kosovës, dhe këtë e ka bërë me mjetet e veta”, ka thënë Tahiri, i cili është zotuar se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën me gjithë potencialin e tij, por edhe me përkrahjen të cilën e gëzon nga presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Tahiri ju ka bërë thirrje qytetarëve që ditën e zgjedhjeve ta votojnë koalicionin e shpresës dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Avdullah Hotin.

 

Të ngjashme