Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, mbajti sot takim me udhëheqësit e Institucioneve Edukativo-Arsimore të Komunës së Rahovecit para të cilëve shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe njoftoi se gara do të nis javën e ardhshme.
“Me Programin Nacional për Rininë synojmë t’i themi ndal jocilësisë në arsim si dhe ta bëjmë mësimin më atraktiv e shkollën vend më të dashur për nxënësit. I gjithë programi është i mbështetur në kurrikulën e e Republikës së Kosovës andaj kjo do t’i ndihmojë edhe nxënësit, edhe mësimdhënësit që përmes garës t’i plotësojnë hapërsirat e munguara të aktiviteteve jashtëkurrikulare”, tha Hoti.
Ai theksoi se në garë do të përfshihen rreth 340 mijë nxënës të nivelit parauniversitar dhe rreth 110 mijë studentë, në fushën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik, diturisë dhe sportit, duke treguar se do të ndahen mbi 30 mijë shpërblime për nxënësit fitues të vendeve të para. Po ashtu, Hoti tha se shpërblime do të ketë për mësimdhënësit më të mirë dhe për shkollën më të mirë. Çmimi për shkollën më të mirë do të jetë 10 mijë euro.
Ndërsa, drejtorët e shkollave shprehën interesim për programin dhe zhvillimin e garave. Ata thanë se çmimet do t’i stimulojnë nxënësit që t’i përkushtohen garës dhe të dalin më të mirët.
Gara në fushën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik do të fillojë nga 19 shkurti 2019.