Hoti: Pakoja fiskale nuk e mbushi buxhetin

Prishtinë | 16 Sht 2016 | 13:50 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndryshimet fiskale nuk janë bërë me qëllim të mbushjes së arkës së shtetit. Kështu ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti, në konferencën me temën “Një vit i reformës fiskale”, të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), në të cilën u prezantua raporti për efektet e pakos fiskale, një vit pas aplikimit të tyre.

Ministri Hoti  theksoi se rritja e të hyrave që i kanë pasur me 17-20 për qind janë rezultat i rritjes ekonomike që ka ndodhë në vend.

“Nuk qëndron në asnjë argument i bazuar në shifra që tregon rritjen e të hyrave buxhetore si rezultati i ndryshimit të normave tatimore”, ka thënë ministri Hoti.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, tha e janë bërë shumë hapa të tjerë në përmirësimin e ambientit të biznesit.

“Qeveria sot ka marr një vendim për lirimin e një sërë mallrash nga tatimi doganor. Për herë të parë ky mandat qeverisës ka barazuar tregtarët me prodhuesit që nuk kanë qenë të barazuar para reformës fiskale”, u shpreh Bajrami.

Ndërsa Muhamet Mustafa, kryetari i Komisionit për zhvillimin Ekonomik, Tregti dhe Industri tha se Kuvendi është i interesuar që ta mbështesë reformën ekonomike të Qeverisë dhe të kontribuojë në pasurimin e kësaj reforme në dialog me biznese.

“Në vitin 2014 kemi pasur 1.2 për qind rritjen ekonomike, në 2015-ten ka qenë 3.6 apo 3.8 për qind, ndërsa këtë vit pritet të jetë 4 për qind. Ka filluar të konsolidohet një trend i rritjes këto dy vitet e fundit, mirëpo ky trend ende nuk na garanton që ne të fillojmë të ulim në mënyrë më të ndjeshme papunësinë dhe varfërinë”, ka thënë ai.

“Duhet të bëjmë gjithçka të jemi në shërbim të investitorit, sepse pa investime nuk ka rritje ekonomike, e as nuk ka vende të punës“, ka shtuar Mustafa.

Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se duhet të punohet më tepër te çështja e fiskalizimit, duke theksuar se me një fiskalizim të mirëfilltë do të arrihen efekte të dëshiruara të pakos fiskale.

“Kjo pako nuk mund të jetë një shkop magjik për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga e kaluara. Ajo që më shqetëson është se 70 deri në 80 për qind e kapaciteteve të hyrave janë të dedikuara për eksport”, ka thënë Gërxhaliu.

Të ngjashme