Forcimi i subjektivitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare si dhe liberalizimi i vizave kanë mbetur peng si pasojë e mos konsolidimit të një Qeverie efikase, kështu tha njohësi i çështjeve politike, Afrim Hoti, në një intervistë për Ekonomia Online.
Hoti thotë se qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
“Për ne është krejtësisht i njohur fakti që po vazhdojmë të mbetemi peng dhe subjekt i kontestuar ndërkombëtarisht, mendoj që për shkak të qeverisjeve të brendshme ne e kemi humbur orientimin në kuptimin e politikës së jashtme dhe e gjitha që është bërë praktikisht është bërë pa pasur ndonjë strategji të trasuar dhe të detajuar në mënyrë të qartë se ka duhet të ecim”.
“Në këtë drejtim mendoj që pas zgjedhjeve qeveria e ardhshme do duhej ta fokusonte përmbylljen e marrëveshjes së obligueshme me Republikën e Serbisë dhe të bënte përpjekje më të mëdha, përpjekje vërtetë serioze për të ndërtuar raporte kontraktuale me Bashkimin Evropian, sepse ky raport pastaj po reflekton në ngecje, në zhargitje të mëdha edhe në fokuse ose në drejtime të tjera. Pos Bashkimit Evropian mendoj që definitivisht duhet të konsolidohemi për të aplikuar edhe në shumë organizata të tjera ndërkombëtare për të marrë anëtarësi, në veçanti tek ato organizata për të cilat nuk është e domosdoshme që të jemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara”.
Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, Hoti thotë se Bashkimi Evropian nuk është treguar i drejtë ndaj Kosovës në mosmarrjen e vendimit për të lejuar kosovarët të lëvizin lirshëm në Evropë.
“Definitivisht mendoj që është temë e stërvjetëruar, madje sipas mendimit tim i ka humbur edhe dimensioni politik kësaj çështje sepse tashmë kjo çështje ka kaluar në dimension tjetër sipas mendimit tim është dimension humanitar, sepse po flasim për izolimin e një popullate shumë të vogël në mes të territorit evropian, mund të flasim shumë gjatë për pasojat, respektivisht për shkaqet sepse kemi mbetur në këtë pikë nga të cilat mendoj që janë dy kryesore: e para është një pozicion shumë i brishtë dhe i pa artikuluar qartë nga BE-ja për Kosovën, aq më parë kur tash kemi dokumente dhe raporte nga vet institucionet e BE-së të cilat konfirmojnë që ne kemi plotësuar kushtet dhe kriteret për të marrë liberalizimin, megjithatë heterogjeniteti në kuptimin e vendimmarrjes të BE-së ka tejkaluar këto elemente politike dhe definitivisht mendoj që na kanë hy në hak. Kurse shkaku i dytë është çështja që edhe sot e kësaj dite nuk po arrijmë të konsolidojmë një qeverisje efikase që në mënyrë të qartë dhe brenda afateve shumë të shkurta kohore të heq secilën dilemë që shtetet eventualisht do të mund të kishin për neve”, u shpreh ai.
Tutje, Hoti diskuton edhe situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar si një dinamikë të ashpër politike, dhe rrezik për qytetarët sidomos në kohë fushatash.
“Është e tmerrshme definitivisht mendoj që është e tmerrshme situata në veçanti pas futjes në pandemi, ku të gjitha vendet andej botës kapacitetet e tyre i kanë orientuar në kuptimin e krijimit të mundësive që do t’i dalin zot qytetarëve, do të thotë edhe nëse ka qenë shtet i varfër e me potenciale të kufizuara megjithatë ka vënë të gjitha resurset në dispozicion për t’u dal në ndihmë. Tek ne ka ndodhur e kundërta, që do të thotë në momentin e parë jemi futur në krizë politike pastaj kemi krijuar struktura të tjera dhe formula të tjera qeverisëse tash së fundmi edhe zgjedhje lokale dhe parlamentare, praktikisht dinamikë më të ashpër politike nuk kemi pasur as në kohën kur nuk kemi pasur pandemi, dhe kjo nuk ka se si interpretohet përpos një zhvillim shumë negativ në kontekstin ndërkombëtar, e ne për aspektet politike nuk njohim as forcën madhore që është pandemia, madje e shihni shkeljet e përditshme në kohë fushatave”, deklaroi ai.
Më tej, Hoti tha se subjektet politike në Kosovë nuk janë parti, pasi nuk kanë ideologji për qeverisje të vendit.
“Unë mendoj që partitë politike në Kosovë mund të jenë çka do tjetër përpos jo parti politike sepse nga ajo që shihet nga jashtë është evidente fakti që këto janë grupe të njerëzve që mund të bëhen bashkë me njëri-tjetrin për secilën arsye tjetër përpos jo për ideologji, sepse shumë pak për të mos thënë fare u kushtohet rëndësi programeve ose aspekteve programore se çfarë një subjekt i caktuar politik ofron për qytetarin, më shumë se kjo do të thotë janë të interesuar për raporte personale ose grupime të caktuara për të mbajtur në kontrolle situatën dhe eventualisht për të marrë pushtetin e pastaj për të ndarë, me miq e dashamirë por jo qeverisje mbi bazën e një strategjie apo platforme programore që i ofron stabilitet qytetarit.”
“Mbi këtë bazë unë konsideroj se edhe qeveria e ardhshme do karakterizohet me pasiguri qoftë në kuptimin e udhëheqjes nga një politikë e caktuar shumë heterogjene dhe këtu flas për të gjitha subjektet, qoftë në kuptimin e çfarëdo koalicioni eventual sepse raportet e subjekteve janë të dëmtuara aq shumë sa që vërtetë është e paparashikueshme ose shumë vështirë të parashikohet që në një të ardhme të afërt do të riparohen. Mbi këtë bazë situata bëhet e pashpresë në kuptimin që nuk pritet ndonjë stabilitet qeverisës dhe viktima siç edhe në herët tjera janë qytetarët e Kosovës të cilët tashmë e sa kohë e kanë kuptuar këtë trend të ecjeve ose proceseve politike dhe për fatin e keq vazhdon trendi i largimit të tyre më të madhe të rinjve sepse fundja është e drejtë elementare e tyre, e drejta për të kërkuar lumturi”, përfundoi ai.