Koordinatori nacional Rexhep Hoti, ka thënë se ish-Presidenti George H.W Bush ishte venditmar për lirinë e Kosovës.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti e ka kujtuar Bushin e vjetër i cili ndërroi jetë të premten vonë në moshën 94 vjeçare.
“Çasti më vendimtar në historinë më të re të Kosovës ishte Paralajmërimi i Krishtlindjeve më 25 dhjetor të vitit 1992, prej ish-Presidentit Xhorxh H. Bush, që u profetizua saktësisht:
“Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe brenda vetë territorit të Serbisë”.
Njeriu që e bëri këtë deklarim nuk është më. Sot të gjithë shqiptarët janë të pikëlluar. Iku Njeriu që Lirinë e Kosovës e jetësoi si amanet edhe nëpërmjet të birit të tij, ish-Presidentit Xhorxh W. Bush, i cili më 2007 e solli në Shqipëri vendimin për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran.
Ngushëllime familjes së Madhe Bush, popullit të ShBA-së dhe mbarë shqiptarëve ”, ka shkruar Hoti.