Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka folur në lidhje për gërmimet që janë duke u bërë në Prekaz.
Hoti, mes tjerash i ftuar në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se mund të gjejnë deri në pesë persona që potencialisht i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur.
“Ky gërmim, ky aktivitet konkret është në kuadër të planifikimeve tona por me një ndihmë të madhe nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar, për shkak se ata i përgatisin disa raporte që na udhëzojnë neve pak a shumë ku mund të jetë lokacione apo ku mund të ketë ende mbetej mortore të personave të zhdukur, këto raporte analitike i mbledhin prej arkivave të ndryshme, duke përfshirë arkivin e Tribunalit të Hagës”, ka deklaruar Hoti.
“Javën e kaluar e kam potencuar se janë gjetur disa mbetje mortore që potencialisht i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”.
“Tre persona janë gjetur, ekipet janë duke punuar, kanë hasur edhe në mbetjet tjera, potencialisht, ne presim deri në pesë trupa të personave të zhdukur të lokacioneve përreth fshatit Prekaz”.
Ai theksoi se në javën e kaluar kanë qenë edhe në Prizren, teksa nesër në Ozdrim.